Sallauka: Nëse vazhdohet kjo gjendje edhe për tre muaj, shumë hotele dhe kafiteri do të mbyllen

0
771

Nënkryetari i Odës Hoteliere dhe Turizmit të Kosovës, Burim Sallauka, ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen nëpër të cilën po kalon ky sektor.

Sallauka përmes një shkrimi në ‘facebook’ ka thënë se humbjet janë shumë të mëdha, dhe se sipas tij nëse kjo gjendje do të vazhdoj edhe për tre muaj, shumë hotele dhe lokale në fushën e gastronomisë rrezikojnë të mbyllen.

Reagimi i plotë i Nënkryetarit të Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, Burim Sallauka:

“Sektori i hotelerisë e turizmit në Kosovë njihet për kontributin e madh në fuqizimin e ekonomisë në nivel vendi në 20 vitet e fundit. Kontributi i këtij sektori ndryshe është quajtur edhe si një infuzion për ekonominë e vendit. Por, nga muaji mars gjërat kanë ndryshuar, me shfaqjen e pandemisë globale, COVID-19.
Efektet kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha në këtë sektor, duke bërë që gjenerimi i humbjeve të jetë pothuajse i pallogaritshëm. Siç e dijmë, stina e dimrit reflekton një shtrëngim ndaj këtij sektori, por që sezoni veror çdoherë ka ditur të sjellë fitime të mëdha.
Kjo nuk po ndodh këtë vit, krejt si rezultat i matematikave jo të mira nga institucionet shtetërore, duke vendosur masa për parandalimin e koronavirusit, pa menduar për një modalitet që do ta shpëtonte këtë sektor, së bashku me këtë edhe një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë së vendit.
Humbjet janë shumë të mëdha, aq të mëdha saqë nëse vazhdohet kjo gjendje edhe për tre muaj, rrezikojnë shumë hotele dhe lokale në fushën e gastronomisë që të mbyllen, duke rritur kështu numrin e të papunëve, varfërinë dhe problemet e ndërlidhura.
Andaj, ka mbetur edhe pak kohë që të ndërhyhet në këtë drejtim, që ky infuzioni ekonomik i dikurshëm të mos ndalet, të vazhdoj dhe ta ndihmoj vendin”, ka thënë Sallauka./04 Online

Leave a Reply