Sa lehtë mashtrohemi por edhe na mashtrojnë!

0
494

Është bërë si rregull që për çdo dështim, edhe nëse nuk ka qenë apo është përgjegjësi e institucioneve të vendit , që këto institucione të fajësohen , sidomos nga partitë opozitare e që në këtë rrafsh nuk dallojnë aspak nga mediat dhe shoqëria civile. Nuk diskutohet se në raste të caktuara përgjegjësia e institucioneve të vendit është e pakundërshtueshme mirëpo gjithnjë duhet ta kemi parasysh faktin se ushtrimi i pushtetit efektiv apo vendimmarrja ( kryesisht nga pozita e këshilldhënësit apo lehtësuesit , si maskim ) ka qenë te ndërkombëtarët . Pas përfundimit të luftës , shtyllat kryesore të shtetit janë udhëhequr nga ndërkombëtarët ; drejtësia , ekonomia , arsimi , doganat , financat etj. janë udhëhequr nga ndërkombëtarët kurse klasa politike e vendit ka pasur për detyrë t’ua  mbajë zhagun . Si shpërblim , nga ndërkombëtarët  kanë pasur të drejtë të bëjnë ç’të duan me qytetarët e vendit dhe në këtë kontekst kanë përfituar materialisht , pa u ndëshkuar fare për faktin se ndërkombëtarët kanë pasur ekskluzivitet për rastet me ndjeshmëri të lartë si krimet e luftës , krimet ndëretnike dhe rastet e korrupsionit të profilit të lartë. Pas përfundimit të luftës kur një Gjykatë vendore e dënoi një serb për krime lufte , rasti Trajkoviq nga Gjilani , ndërkombëtarët e anuluan procesin duke e liruar nga çdo përgjegjësi dhe nga ai rast morën të gjitha përgjegjësitë për rastet e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit . Ka shumë raste kur ndërkombëtarët kanë ndikuar sikur që mundësuan “ ikjen “ e 20 serbëve dhe një romi të dyshuar për krime lufte nga Burgu i Mitrovicës dhe asnjëherë nuk kanë kërkuar që këta të ekstradohen nga Serbia.  Pas publikimit të raportit politik  të Dik Martit për të ashtuquajturën Shtëpinë e Verdhë të kapuçëve në Shqipëri për nxjerrje dhe  trafikim të organeve njerëzore ( kryesisht të serbëve ) dhe pasi Policia e Kosovës arrestoi disa serbë që jepnin shuma të mëdha parash në Kosovë , në përpjekje për të rekrutuar dëshmitarë kinse u janë marrë organet dhe pasi u mbajtën disa muaj në paraburgim , me presionin eSerbisë dhe ndërkombëtarëve këta u liruan kurse disa media dhe OJQ –ë vendore thyenin këmbët duke kërkuar nëse do të gjejnë ndonjë organ të nxjerrë në Shtëpinë e Verdhë , me inkurajimin dhe financimin e ndërkombëtarëve . Në këtë mënyrë përpiqeshin të mbështesin një raport monstruoz të Dik Martit për trafikim të organeve të cilin e mohuan edhe autoritetet profesionale të Serbisë kurse e përkrahën politikanët e Serbisë dhe ndërkombëtarët në Kosovë të cilët terrorizuan deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë një Gjykatë Speciale e cila , nga aspekti i universalitetit të të drejtave të njeriut , viktimat i diskriminon skajshmërisht për faktin se angazhohet për të drejtat e viktimave në baza etnike e që përbëjnë vetëm 5 % të viktimave të përgjithshme kurse , ua mohon të drejtën elementare të njeriut 95 % të viktimave sepse nuk trajton fare këto raste.  Edhe ata pak serbë që janë arrestuar në Kosovë për krime lufte , nën presion politik , ose janë liruar ose janë dënuar me dënime simbolike . Shihni raportet dhe përqindjet e të vrarëve në Kosovë sikur edhe të të dënuarve dhe vëreni një shpërputhje të madhe ku 90 % të të arrestuarve për krime lufte janë shqiptarë kurse vetëm 10 % janë serbë kurse raporti për viktima është më shumë se 90 % janë shqiptarë dhe më pakë se 10 % janë serbë dhe pakica tjera . Realisht , gjyqësori i Kosovës padrejtësisht fajësohet pse nuk e ka formuar një Gjykatë Për Krime Lufte aq më parë  që KMDLNj përmes kryetarit Prof. Pajazit Nushi , pas vendimit të Kryesisë , në takim me ndërkombëtarët ka kërkuar që të formohet një Gjykatë që do të merrej vetëm me raste të krimeve të luftës. Përgjigja e ndërkombëtarëve ka qenë ; për raste kapitale merret Tribunali për Krime Lufte për ish – Jugosllavinë kurse , për raste tjera janë ndërkombëtarët në Kosovë. Kjo është e vërteta. Ndërkombëtarët e kanë pamundësuar , sigurisht për qëllime politike formimin e një Gjykate të tillë për ta formuar , kur e kanë ndjerë të nevojshme , gjithashtu për qëllime politike një Gjykatë Speciale që punon sipas ligjeve të Kosovës  ( për ata që janë të marrë ndoshta është e besueshme ) por që , në fakt nuk ka të bëjë asgjë me Kosovën përveç se të gjithë të arrestuarit dhe të dënuarit eventual janë shtetas të Kosovës ( shqiptarë ) sikur që paralajmërohen se mund të ketë arrestime edhe në Shqipëri apo Maqedoni të Veriut ( edhe këta shqiptarë ). KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon drejtësi për të gjitha viktimat , pa asnjë dallmi sikur që kërkon përgjegjësi për të gjithë  ata që kanë bërë krime , gjithashtu , pa asnjë dallim. Ndërkaq  , bashkësia ndërkombëtare ka qëndrim tjetër sepse gjykimet për krime lufte i konsideron si mundësi presioni për arritje të qëllimeve politike , gjithnjë në emër të ruajtjes së paqes dhe normalizimit të marëdhënieve midis shteteve ndërluftuese . Bashkësia ndërkombëtare ka dështuar në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur duke krijuar ekipe për bisedime dhe duke stërzgjatur këto bisedime në përputhje me zhvillimet politike dhe për qëllime politike në ndërkohë që ka pasur mundësi por edhe detyrim të bëjë presion te palët ndërluftuese ( pas përfundimit të luftës ) të tregojnë për fatin e këtyre personave.   Nga kjo duket qartazi , mbështetur në shumë raporte ndërkombëtare si dhe deklarata të hetuesve , prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtarë ( pas përfundimit të mandatit apo shkarkimit të tyre ) se pikërisht korrupsioni ka përcaktuar dinamikën dhe vendimet gjyqësore për krime lufte ku janë montuar procese kundër personave të caktuar dhe ku është shitur pafajësia për ata të cilëve edhe një student i vitit të parë i fakultetit të drejtësisë do ta arsyetonte fajësinë. Po në këto raste është perfeksionuar sekserizmi i disa avokatëve dhe legalizimi i korupsionit duke prodhuar mosndëshkueshmërinë për fajtorët sikur që edhe duke ua mohuar të drejtën elementare të viktimave për drejtësi dhe satisfakcion . Viktimat dhe drejtësia janë humbësit më të mëdhenj dhe përsëri , për shkak të oportunitetit politik janë shndërruar në viktima , janë riviktimizuar disa herë . Prandaj , në rrethana aktuale ku interesi politik është mbi interesin e drejtësisë , KMDLNj vlerëson si improvizim çdo përpjekje për Ballafaqim me të Kaluaren kurse krejtësisht utopike çfarëdo Komisioni për të Vërteten dhe Pajtim. Ndërkombëtarët dhe vendorët duhet të mbledhin njëherë e mirë mend se nuk ka drejtësi nëse të gjitha viktimet nuk trajtohen si viktime dhe , në këtë kontekst drejtësia është ajo që e ka fjalën e fundit dhe të vetme dhe se nuk ka dhe nuk duhet të ketë kurrfarë amnistie për ata që u dëshmohet se kanë bërë krime lufte apo krime kundër njerëzimit . Nuk ka drejtësi selektive sikur që as nuk ka përgjegjësi selektive . KMDLNj mund të faktojë me qindra raste ku drejtësia për viktimat po sakrifikohet për qëllime politike .

Ndërhyrja dhe ndikimi politik ka shkuar aq larg dhe u bë aq i paturpshëm sa që , 22 vjet pas përfundimit të luftës Kosova kushtëzohet me kërkesa politike që janë punë e brendshme e Kosovës e që e rrezikojnë integritetin e shtetit kurse sovraniteti është diçka për të dëshiruar. Kosova nuk ka dështuar në gjykimin e rasteve të krimeve të luftës as në programin e mbrojtjes së Dëshmitarëve të Mbrojtur sepse kjo ka qenë dhe ende vazhdon të jetë përgjegjësi e ndërkombëtarëve që nuk e kanë bërë këtë në kohën e duhur. Tash , 22 vjet pas përfundimit të luftës kur shumë dëshmitarë nuk janë gjallë apo për shkak të moshës  dhe gjendjes shëndetësore nuk janë dëshmitarë të besueshëm , ndërkombëtarët ua kanë lënë në duar këmbët e arushës hetuesve , prokurorëve dhe gjykatësve vendorë të cilët , edhe ashtu nuk kanë pasur përvojë dhe profesionalizëm të mjaftueshëm ( me përjashtim të një grupi të vogël ) duke i akuzuar për efikasitet të ulët  prandaj paska qenë e arsyeshme dhe e nevojshme formimi i Gjykatës  Speciale e që është në kundërshtim të plotë me Deklaratën Universale e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara sepse në mënyrë flagrante diskriminon viktimet dhe siguron mosndëshkueshmëri për pjesën dërrmuese të atyre që kanë bërë krime.

Qytetarët e Kosovës janë të privuar nga liria e lëvizjes , e drejtë e njeriut e që është shndërruar në standard te të gjitha vendet e BE-së , kryesisht për qëllime politike . Ishte kusht Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe pasi u votua në Kuvendin e Kosovës ( shumë i dyshimtë për integritetin territorial të vendit )  dolën kërkesa të tjera sikur mungesa e luftës kundër korrupsionit të profiilit të lartë në ndërkohë që të gjithë ndërkombëtarët ngushtë punonin e në raste të caktuara edhe bashkë keqpërdorinin fonde publike dhe të tjera. U tha se gjatë udhëheqjes së BE –së nga Gjermania do të ketë liberalizim të vizave sepse Kosova i paska plotësuar të gjitha kushtet teknike dhe tash po del se nuk ka asgjë nga liberalizimi sepse disa shtete po e kundërshtojnë . Duket se kërkohen të plotësohen kushte ekskluzivisht politike , lëshime apo kompromise të dhimbshme me Serbinë në ndërkohë që Serbia mbetet e paprekur nga këto kushtëzime për faktin se të gjitha betejat politike dhe diplomatike bëhen për territorin e Kosovës dhe çështjet e brendshme të Kosovës. Madje , një kundërshtar i fuqishëm i pavarësisës së Kosovës dhe një mik i madh i Serbisë , tash i dërguar i BE –së për këto bisedime , Mirosllav Lajçak paturpësisht deklaron se Asociacioni i Serbisë në Kosovë duhet të formohet sepse qenka nënshkruar Marrëveshja në Bruksel e që të njëjtën këngë e këndon edhe Aleksandar Vuçiqi , përgjegjës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë , tash partner i besueshëm dhe i preferuar i BE-së. U fol se edhe Riçard Grenell, gjatë vizitës së fundit në Kosovë do ta sjellë lajmin e dëshiruar se SHBA –të do të heqin vizat për qytetarët e Kosovës e që doli të jetë mashtrim i radhës. Nuk është se është gjendja shumë e mirë në Kosovë por a mos është gjendja më e mirë në federatën e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe vendeve tjera të rajonit e që kanë përfituar në çdo aspekt ndërkaq qytetarët e Kosovës kanë mbetur “ leprozët “ e fundit në Ballkan dhe Europë prandaj mbahen të izoluar ndërkaq politikanët e vendit që akuzohen nga ndërkombëtarët për të gjitha të gjeturat e raporteve të progresit dhe të regresit i gëzojnë të gjitha të drejtat. Nuk ka korrupsion të profilit të lartë apo të ulët dhe drejtësia nuk njeh këso cilësime sikur që OJQ-të dhe shoqëria civile nuk janë adresa kryesore për luftimin e korrupsionit e lëre më të krimeve të luftës. Ato mund dhe duhet t’i bëjë vetëm shteti kurse OJQ-të mund të kontribuojnë për këtë por nuk janë adresa për vendimmarrje !

Leave a Reply