Rrugët e vdekjes në Prizren

0
1174

“Biraq”, “Giri”, fshati Vlashnje e fshati Landovicë, janë disa nga rrugët në rajonin e Prizrenit, në të cilat disa persona vdiqën në aksidente trafiku.

Këto rrugë vazhdojnë të mbesin si rrugë më të rrezikshme për shkak të numrit të madh të aksidenteve dhe personave që kanë vdekur në këto aksidente.

Polica në rajonin e Prizrenit ka thënë se njëra nga rrugët në të cilën kanë ndodhur shumë aksidente e që njihet si pikë e zezë për shkak të tyre është rruga Suharekë- Duhël, e njohur si “Biraq”.

Kjo rrugë sipas policisë është e rrezikshme për shkak të pozitës gjeografike pasi që ka shumë kthesa, dhe gjatë sezonës dimërore është e rrëshqitshme.

“Mendojmë se duhet t`i kushtohet një vëmendje e posaçme lidhur me shenjat e komunikacionit dhe mirëmbajtjes së kësaj pjese të rrugës”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Tutje policia ka bërë të ditur se në këtë rrugë janë evidentuar aksidente fatale që nga viti 2000 deri më 2018 ku i fundit ishte aksidenti me fatalitet me pesë persona të vdekur.

Rrugë tjetër e cila njihet si rrugë në të cilën ndodhin shumë aksidente trafiku në rajonin e Prizrenit, është rruga Duhël- Shtime, ose e njohur si rruga “Giri”, e cila sipas policisë është mjaft e rrezikshme për shkak të pozitës gjeografike dhe lartësisë mbidetare.

Në këtë lokacion në bazë të statistikave të policisë, janë evidentuar aksidente me fatalitet që nga vitit 2004 e deri më tani, ku nga aksidenti i fundit me fatalitet vdiqën tre persona.

Edhe fshati Ladovicë në këtë rajon njihet si lokacion në të cilin ndodhin aksidente trafiku.

Sipas policisë shumica e aksidenteve në këtë rajon kanë ndodhur për shkak të mungesës së shenjëzimit të vijave të bardha të cilat nuk duken fare, dhe mungon shenjëzimi i tabelës e cila tregon vendbanimin e fshatit Landovicë, e poashtu mungon edhe shenja e ndalimit të stacionit të autobusëve.

Nga drejtimi i Gjakovës rruga është me dy krosi dhe kjo paraqet rrezik të madh pasi që automjetet që duhet të bëjnë kyçjen në fshatin Landovicë duhet ta bëjnë nga shiriti i shpejtë ku është edhe kthese dhe paraqet rrezik potencial për aksidente trafiku”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Rrezik më pak të vogël për aksidente trafiku nuk paraqet as fshati Gjonaj.

Kjo sipas policisë ndodhë për shkak se është kthese nga te dy anët  dhe automjetet qe kyçen ne rrugën regjionale çdoherë paraqesin rrezik për aksident trafiku

Sipas policisë, zgjidhja do të ishte ndërtimi i një rreth-rrotullimi për në fshatin Gjonaj dhe fshatrat e Hasit.

Tre persona mbetën të vdekur në vitin 2019 si pasojë e një aksidenti trafiku edhe në fshatin Vlashje, tek ura e autostradës.

Policia ka bërë të ditur se në këtë lokacion ka pasur aksidente komunikacioni me lëndime të rënda dhe me fatalitet.

Policia ka propozuar që në këtë pjesë të rrugës të vendosen shenjat shtesë të komunikacionit, në afërsi tuneli dhe në brendësi të urës të vendosen shenja sinjalizuese me ndriçim të cilat tërheqin  vëmendjen e vozitësve për kujdes të shtuar.

Këto aksidente në këto lokacione sipas Policisë në Prizren ndodhin edhe për shkak të pakujdesit të shoferëve por edhe në mungesë të shenjave të komunikacionit.

“Kërkohet të vendosen shenjat e komunikacionit në bazë të raportit të inspektimit, pasi që aksidentet kanë ndodhur për mungesë të shenjave të komunikacionit, mospërshtatjes së shpejtësisë dhe pakujdesi nga drejtuesi i automjetit sipas kushteve të rrugës”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Policia në Prizren po ashtu ka propozuar që Komuna e Prizrenit së bashku me Ministrinë duhet të ndërmarrin masat dhe në bashkëpunim me Njësinë e Trafikut Rrugor të kryejnë inspektime dhe të rekomandohet vendosja e shenjave horizontale dhe vertikale të komunikacionit.

“Aktualisht takimet me Komunën e Prizrenit janë të rregullta, ato bëhen në baza periodike dhe sipas kërkesave. Janë kryer inspektime në muajin qershor 2019 dhe në muajin dhjetor 2019 dhe janë dhënë rekomandime për plotësimin dhe vendosjen e shenjave të trafikut aty ku mungojnë në magjistralen Prizren-Suharekë-Duhël- Caralevë e cila i ka 34 km gjatësi, pastaj në rrugën rajonale  Duhël- Bllacë e cila i ka 6 km gjatësi, në rrugën rajonale Prizren-Landovicë- Krushë e Vogël  e cila i ka 14 km gjatësi, në rrugën rajonale Landovicë-Gjonaj-Bishtazhin e cila ka një gjatësi prej 20 km, në rrugën Magjistrale Prizren -Zhur – Vërmicë  e cila ka një gjatësi prej 17 km, në rrugën Rajonale Prizren-Prevallë  e cila ka një gjatësi prej 25 km, në rrugën Rajonale Zhur-Dragash  e cila ka një gjatësi prej 21 km, në rrugën Rajonale Piranë-Studenqan e cila ka një gjatësi prej 13 km”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Policia në Prizren po ashtu ka bërë të ditur se është bërë  ka bërë edhe një propozim për rrugën e cila kalon mbi lumin Lumbardh.

“Që nga fillimi i urës i cili kalon mbi lumin Lumëbardhë, drejtimi Prizren-Reqane- Prevallë në gjatësi prej 2.2 km gjenden bjeshkët e cila kufizohet me rrugën ku vende vende është mbi rrugë , andaj duke e parë rrezikun që automjetet me pesha të rënda gjatë pjesëmarrjes në komunikacion gjatë kësaj rruge për shkake të lartësisë (gjatësisë) së mjetit shpesh herë duhet të kalojnë në shiritin e kundërt të rrugës gjatë zhvillimit të komunikacionit , andaj sugjerojmë që të vendoset një shenjë me mbishkrim ku vozitësit e mjeteve të rënda t`iu tërhiqet vëmendja që të kenë kujdes ngase është bjeshka./Kallxo.com

Leave a Reply