Rishikimi i buxhetit do ta lë ministrinë e Infrastrukturës pa miliona euro

0
75

Rishikimi i buxhetit do ta lë ministrinë e Infrastrukturës pa miliona siç ishin paraparë në fillim të ndarjeve buxhetore.

Ndonëse kjo gjë do ta dëmtojë secilin projekt në këtë dikaster, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, thotë se do të mundohen që në çdo projekt të derdhen mjete në mënyrë që mos të mbeten në gjysmë.

Abrashi thotë se me këto shkurtesa që janë bërë do t’ia dalin që të kryhen disa projekte këtë vit.

“Rishikimi i buxhetit dhe kalimi i masave anti-covid ka ndikuar edhe në buxhetin e ministrisë i cili është ulur dukshëm por sidoqoftë ne e kuptojmë situatën në të cilën po kalon vendi dhe masat e nevojshme anti-covid për të mbajtur gjallë ekonominë, prandaj edhe në një mënyrë jemi pajtuar dhe kemi shtyre përpara këto masa, përkundër që dëmtohen gjitha projektet në Ministri. Ajo çfarë kemi bërë që mos të dëmtojmë asnjë projekt specifik, kemi bërë që në çdo projekt të prekim në mënyrë lineare prandaj duke marrë parasysh edhe muajt që kanë kaluar nga viti ka pasur një ulje të aktiviteteve të punës. Me këto shkurtesa që janë bërë sërish ia dalim që të kemi disa punë të kryera këtë vit”, u shpreh ai.

Mungesa e mjeteve buxhetore dhe shpronësimi i tokave janë ndër sfidat e ministrisë së Infrastrukturës. Për këtë të fundit, Abrashi synon që të derdhin më shumë mjete, në mënyrë që të hapet rrugë punimeve që janë të kontraktuara.

“Problemet më të mëdha janë me mungesë të buxhetit, prandaj kjo e vështirëson por ka edhe projekte tjera qoftë te punëkryesit qoftë edhe problemet me prona që po dalin në terren. Sidoqoftë ne do të mundohemi që ta mbajmë gjallë secilin projekt dhe të shtyjmë këtë vit dhe shpresojmë që viti i ardhshëm të jetë më i mirë edhe për neve si ministri edhe më shumë buxhet, në mënyrë që të përfundojmë të gjitha projektet. Dy problemet kyçe që jam ballafaquar me marrjen e detyrës kanë bërë çështjet që ndërlidhet me shpronësim dhe mungesa e mjeteve buxhetore. Prandaj janë çështje të cilat po merremi seriozisht që t’i trajtojmë. Synojmë në fund të vitit me mbetjet buxhetore të derdhim më shumë mjete tek shpronësimi që t’i hapim rrugë punimeve që janë të kontraktuara”, tha Abrashi.

Një projekt i madh e me kosto të vogël po bëhet në identifikimin e vendeve ku ndodhin më së shumti aksidente në Kosovë. Thotë se do të fillojnë edhe me fushata vetëdijësuese, raporton EO.

“Jemi duke punuar në sigurinë rrugore. Së bashku me Policinë e Kosovës tani kemi pasur disa takime këto javët e fundit, që t’i identifikojmë vendet ku ndodhin më së shumti aksidente në Kosovë dhe tani më e kemi një listë që veçse kemi filluar të ndërhyjmë, zakonisht janë investime të vogla dhe mendojmë që aty ku mund të shpëtojmë jetë do të ndërhyjmë për kundër që do të fillojmë fushata vetëdijësuese. Janë një numër i madh i pikave të zeza në Kosovë që nuk e di pse nuk është investuar më herët por që synojmë që këto t’i trajtojmë me prioritet”, tha Abrashi.

Leave a Reply