Rimëkëmbja ekonomike e dialogu, temat kryesore në sesionin vjeshtor të Kuvendit

0
307

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pas tri jave pushim, nesër pritet t’i përvishen punëve për të cilat kanë marrë besimin e qytetarëve. Sesioni vjeshtor parlamentarët do t’i gjejë me tema të mbetura në gjysmë.

Miratimi i pakos për rimëkëmbje ekonomike po shihet si prioritet për deputetët, por krahas kësaj nga organizatat joqeveritare që e monitorojnë punën e të zgjedhurve të popullit, thonë se dialogu me Serbinë dhe miratimi i mundshëm i ndonjë marrëveshje finale, do të jetë sfidë për deputetët. E si i veçantë shihet edhe miratimi i Projektligjit për buxhetin e vitit 2021, brenda këtij viti.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj thotë për KosovaPress, se Qeveria Hoti nuk po e ka mbështetjen politike për të çuar përpara agjendat e Qeverisë.

Kjo thotë se do të reflektojë te qytetarët, pasi mund të ketë pasoja në procese të rëndësishme për jetën e tyre.

“Kjo legjislaturë ose qeveria aktuale si duket nuk ka mbështetje politike që përkthehet në vota për të dërguar agjendën legjislative, qoftë agjendat politike të qeverisë. Kur një qeveri nuk i ka të garantuara votat e duhura për të votuar ligje me rëndësi ose politika me rëndësi natyrisht se kjo reflektohet tek qytetarët dhe qeverisja në përgjithësi… Kosova me këtë qeveri të brishtë që ka aktualisht, me një qeveri që nuk i ka numrat e duhur edhe për ligje të thjeshta, atëherë sigurisht fundi i viti mund të ketë pasoja edhe për procese tjera të rëndësishme. Nuk duhet harruar faktin se Kosova nuk e ka komoditetin të mos e miratojë projektligjin për buxhet brenda këtij viti kalendarik”, thotë ai.

Ndërsa, Allen Meta nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) thotë se mundësia e votimit të një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë dhe votimi i pakos së rimëkëmbjes ekonomike do të jenë prioritetet e sesionit vjeshtor të Kuvendit.

“Duke pas parasysh se në sesionin pranveror nuk janë realizuar shumë prej agjendës së qeverisë ne besojmë që edhe në sesionin vjeshtor kjo do të jetë mjaft e vështirë. Po ashtu janë dy tema të rëndësishme që gjithsesi duhet të jenë prioritet e që është dialogu Kosovë-Serbi dhe rimëkëmbja ekonomike, e cila duhet të ketë një fokus të veçantë… Ne shohim një dinamikë të re për dialogun, besojmë që një marrëveshje e mundshme gjithëpërfshirëse gjatë këtij viti, atëherë duhet të vinte gjatë këtij sesioni. E po ashtu edhe pako për rimëkëmbje ekonomike do të ishte një prej temave kryesore që do të merrte këtë sesion gjatë vitit 2020”, u shpreh ai.

Drejtori i IKD-së, Miftaraj thotë se Kuvendi përveç agjendës legjislative, ka ngecur edhe në emërimin e pozitave në borde e komisone që janë kompentencë e tyre.

“Kuvendi i Kosovës ka mbetur pa i përmbushur dhe plotësuar një mori kërkesash të qytetarëve dhe obligimeve që i ka me kushtetutë dhe ligj. Përveç faktit që me agjendë legjislative është jashtëzakonisht prapa Kuvendi ka edhe obligime tjera siç është emërimi i pozitave të ndryshme qoftë komisione, apo borde që janë kompetencë e Kuvendit. Për sa agjendës legjislative për vitin 2020 do të jetë një ndër legjislaturat që ka përmbushur më së paku agjendë legjislative. Këtu ku po flas për Kuvendit, po them që është faji edhe qeverisë aktulae që nuk ka qenë në gjendje të përmbush obligimet e saj dhe dërgojë ligjet në Kuvend”, thotë Miftaraj.

Ani pse nuk kaloi pako e rimëkëmbjes ekonomike, deputetët e panë të udhës të hyjnë në pushim në fund të muajit gusht, përkundër pandemisë Covid 19 dhe nevojave të qytetarëve për stimulime financiare shtesë./kp/

Leave a Reply