Reçica i vendosur që punëtorëve të dëbuar nga puna në vitet e 90-ta t’u njihet stazhi

0
46

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka njoftuar se së shpejti do të jetësohet njëri nga prioritetet e tij kryesore, që ka të bëjë me njohjen e stazhit të punës për të punësuarit e viteve 90-ta, të dëbuar me dhunë nga puna nga pushteti serb.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Reçica tha se këtë ligj do ta dërgojnë në Qeveri më datë 30 korrik, që më pastaj të procedohet në Kuvendin e Kosovës.

“Tani jemi në një fazë krejt të re dhe unë fuqishëm do ta shtyj përpara reformën në sistemin pensional dhe krahas kësaj po punojmë paralelisht dhe dua t’i siguroj gjithë pensionistët e vendit tonë që kemi inicuar në Qeveri plotësim-ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti dhe atë plotësim-ndryshim do ta dërgojmë me datë 30 korrik, ku pas miratimit do ta nisim për Kuvend ku kemi kërkuar të ndërhyhet në ligjin për skemat pensionale të financuara nga shtetit dhe të gjitha këto padrejtësi, t’i eliminojmë me plotësim ndryshim”.

“Pra në njohjen e stazhit dhe kemi planifikuar që me këtë intervenim t’iu njihet stazhi të gjithë punonjësve të viteve 1990 të cilët u dëbuan nga puna nga regjimi serb”, tha Reçica.

“Ky plotësim ndryshim prek një numër të konsiderueshëm të pensionistëve kontributpagues, që nuk është më rëndësi për nga numri por po flasim për një padrejtësi që iu është bërë 20 vite pas lufte që këtyre kategorive iu është bërë e padrejtë. Pra unë mendoj se ka ardhur momenti që kjo padrejtësi të hiqet dhe vitin 2021 pensionistët tanë kontribut pagues ta fillojnë vitin duke mos e pas këtë pengesë në realizimin e të drejtës së tyre për përfitimin dinjitoz të një pensioni kontributpagues”, tha Reçica.

Reçica tha se këto ndryshime do të kryheshin në qeverinë e kaluar, por që thotë se nuk pati përkrahje të mjaftueshme politike nga Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

“Duke e parë këtë situatë ne në vitin 2018, filluam reformën në sistemin pensional të Kosovës dhe synonim që përmes reformës t’i eliminojmë këto padrejtësi ne i evidentuam në sistemin pensional të Kosovës. Dhe hartuam koncept dokumentin nga i cili synuam të nxjerrim dy projektligje. Ligjin unik për pensionet dhe Ligjin për sigurimet sociale”.

“E them shumë hapur dhe me keqardhje nuk ka pasur përkrahje të mjaftueshme politike nga qeveria e kaluar sepse sikur të kishim pasur përkrahje ai koncept dokument nga i cili synonim t’i nxjerrim dy projektligje, sot do t’i kishim këto projektligje të miratuara dhe të futura në fuqi, pra Ligjin për Pensionet dhe Ligjin për Sigurimin Sociale”, u shpreh ai, teksa tha se këto dy projektligje mbetën pas rënies së Qeverisë Haradinaj.

Reçica ka premtuar se do të krijojnë bazë ligjore që ua mundëson kategorive të dala nga lufta që të përfitojnë dy pensione, pensionin kontributpagues dhe njëkohësisht benificionin, i cili buron nga Ligji për kategoritë e dala nga lufta.

“Krahas kësaj kemi evidentuar edhe shkeljet tjera dhe padrejtësitë tjera që iu bëhen këtyre kategorive. I kemi pensionistë të cilët sfidohen për të pranuar pensionin ose benificione që buron nga Ligji për kategoritë e dala nga lufta, flas për familjet që janë familjarë të dëshmorëve ose invalidë të luftës, dhe këta nuk kanë të drejtë ta gëzojnë pensionin kontributpagues dhe njëkohësisht benificionin që rrjedh nga Ligji për kategoritë e dala nga lufta, dhe këtë synojmë ta rregullojmë”.

“Në kuadër të plotësim ndryshimit kemi paraparë që të hiqet ndalesa për pensionistët për kontribut pagues në rast se janë familjarë dëshmori ose invalid lufte, që të kenë të drejtën ta gëzojnë pensionin kontribut pagues dhe njëkohësisht benificionini cili buron nga Ligji për kategoritë e dala nga lufta”, tha ai.

Leave a Reply