Reagon LDK në Prizren, pas shkarkimit të nënkryetarit dhe tre drejtorëve

0
449

Është prishur përfundimisht koalicioni mes Lidhjes Demokratike dhe Vetëvendosjes në Prizren.

Lidhja Demokratike e Kosovës në Prizren, ka reaguar pak orë pas shkarkimit të katër zyrtarëve komunalë nga kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka, nga Vetëvendosje.

LDK-ja thotë se rrugëtimi me VV-në nuk ishte i lehtë dhe kishin tentuar shkëputjen e koalicionit kaherë, por pandemia me COVID-19, thotë LDK-ja, i bëri ta rishqyrtojnë qëndrimin.

“Prandaj, tash kur pandemia duket që po jep shenjat e zbutjes së agresivitetit me të cilin u shfaq në fillim, është mirë që rrugët tona po ndahen përfundimisht”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Reagimi i plotë:

Edhe njëherë jemi të detyruar ta sqarojmë opinion e gjerë në lidhje me zhvillimet e fundit rreth koalicionit tonë me VV-në në nivel lokal.

Që nga fillimi i këtij mandati të pushtetit lokal në Prizren, kemi bërë të ditur se, ka qenë vullnet i mirë dhe dëshirë e Degës së LDK-së për të dhënë kontributin tonë në të mirën e gjithë qytetarëve të Prizrenit, pa dallim të përkatësisë politike, etnie e religjioni, duke vënë në shërbim përvojën tonë të dëshmuar suksesshëm në qeverisje lokale, si një parti e cila përgjatë qeverisjes së saj me Prizrenin, ka realizuar suksesshëm projektet më kapitale të nevojshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Meqenëse ishin votat e elektoratit të LDK-së që e bënë të mundur fitoren e VV-së në balotazh, kemi ndier edhe një obligim shtesë për t’u bërë pjesë e qeverisjes nga e cila pritej të bënte ndryshimin pozitiv në qeverisje, sa është arritur kjo, u mbetët qytetarëve prizrenas ta vlerësojnë.

Rrugëtimi ynë i përbashkët me VV-në nuk ishte i lehtë, përkundër performancës shumë të mirë të përfaqësuesve tanë në koalicion, kishim ulje e ngritje e edhe mosmarrëveshje të herëpasherëshme rreth koncepteve të ndryshme të qeverisjes lokale dhe mënyrës, poashtu të ndryshme të qasjes së të qenurit partner në bashkëqeverisje dhe funksionimit e veprimit si të tillë.

Ishim në proces të shkëputjes së partneritetit, por shfaqja e pandemisë Covid-19 na bëri që të rishqyrtojmë ndërprerjen e bashkëpunimit në bashkëqeverisje dhe drejtorët tanë u vunë në ballë të ofrimit të ndihmës e mbështetjes për qytetarët e Prizrenit, sidomos në fushën e asistencës sociale dhe të bujqësisë e zhvillimit rural që drejtoheshin nga ne.

Për ne, zhvillimet në nivel qendror nuk kanë qenë asnjëherë arsye që kanë interferuar në bashkëpunim në nivel lokal, sepse gjatë tërë kohës kishim parasysh nevojën e qytetarëve të Prizrenit për tu shërbyer dhe jo interesin afatshkurtër të përfitimit politik.

Prandaj, tash kur pandemia duket që po jep shenjat e zbutjes së agresivitetit me të cilin u shfaq në fillim, është mirë që rrugët tona po ndahen përfundimisht.

Duke falënderuar kryetarin Haskuka për punë të përbashkët të deritanishme, bëjmë me dije se LDK – Dega në Prizren do të vazhdoj aktivitetin e saj duke u shndërruar në korrektor të pakompromis të lëshimeve, gabimeve, neglizhencës e mospunës së pushtetit lokal, si dhe do të luan rolin e saj konstruktiv në quarjen përpara të çdo projekti që përmirëson jetën e qytetarëve të komunës tonë.

Jemi të sigurt që kontributi dhe punët e mira që drejtorët tanë kanë bërë duke përmbushur obligimin e tyre për t’u shërbyer me ndershmëri, profesionalizëm dhe korrektësi do të vlerësohet pozitivisht nga qytetarët e Prizrenit.

Nga tani fillojmë fazën e përgatitjes së platformës tonë qeverisëse që do ti ofrojmë Prizrenit si alternativën më të mirë për të qeverisur në mandatin e ardhshëm, pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen në ciklin e rregullt zgjedhor.

Leave a Reply