Raporti i Progresit: Arsimi në Kosovë ende po ‘çalon’

0
296
Foto: Arkiva

Raporti i Progresit për Kosovën, këtë vit ka vënë në pah që sistemi i arsimit në Kosovë po vazhdon të mbetet si një nga sektorët më së paku të zhvilluara ndër vite.

Ky raport ka theksuar për të dytën herë se shteti investon dhe harxhon shumë pak në arsim, apo 4.7% të Bruto Produktit Vendor(BPV).

Po ashtu aty theksohet se Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjes në fushën e arsimit dhe ka pasur përparim të kufizuar gjatë vitit që e lamë pas, duke theksuar edhe ndikimin e pandemisë COVID-19.

Sipas raportit, cilësia e arsimit duhet të përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme dhe rekomandimet e dhëna vitin e kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht e që mbeten në fuqi edhe për këtë vit.

Raporti ka theksuar se Kosova duhet të zbatojë sistematikisht mekanizmat e sigurimit të cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit, sidomos të përmirësojë aksesin në arsim cilësor në nivelin parashkollor dhe për grupet e margjinalizuara.

Sa i përket arsimit të lartë, raporti ka theksuar se Kosova duhet të përmirësojë sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë duke rishikuar Ligjin për Arsimin e Lartë, ligj ky që nuk është ndryshuar qysh nga viti 2012.(Ka pasur disa iniciativa që ky ligj të rishikohet, por për shkak të mos pajtueshmerisë me Listen Serbe, ky ligj ka mbetur peng në Kuvendin e Kosovës) si dhe të votohet Ligji për Agjencinë e Akreditimit.

Komisioni Evropian në raportin e përpiluar për Kosovën  thekson se vendi duhet të përfundojë zbatimin e kornizës së re kurrikulare për arsimin bazë me tekste cilësore dhe duhet ofruar trajnime të qëndrueshme për mësuesit.

Po ashtu raporti ka rekomanduar që Kosova duhet të rrisë ofrimin e arsimit dhe aftësimit profesional cilësor për profesionet në kërkesë si dhe duhet të merren hapen për të zhvilluar një plan zbatimi për garancinë për rininë në përputhje me modelin dhe udhëzimet e Bashkimit Evropian.

Në këtë raport është theksuar se shpenzimet e studentëve janë të mëdha dhe ka më shumë shpenzime në paga dhe shpenzime kapitale sesa në arsim cilësor.

Niveli parashkollor

Raporti i Progresit për Kosovën po ashtu ka theksuar se pjesëmarrja e fëmijëve në edukimin e hershëm(parashkollor) mbetet e ulët, edhe pse krahasuar me vitin e kaluar ka pasur një rritje prej 8.5%, nga 6.2% por që mbetet nën mesataren e OECD-së ose objektivat e Edukimit dhe Trajnimit.

“Një problem i vazhdueshëm mbetet numri i vogël dhe shpërndarja e pabarabartë e institucioneve parashkollore në Kosovë (44 kopshte publike në 23 nga 38 komuna), mungesa e infrastrukturës së përshtatshme dhe mungesa e materialeve didaktike. Ligji i ri për Arsimin Parashkollor nuk është miratuar dhe kurrikula për këtë nivel arsimor ende duhet të ri-zhvillohet”, thuhet më tej.

Pasojat e pandemisë dhe cilësia ‘këmbë dorazi’

Raporti ka përmendur edhe faktin se 2.8% e nxënësve të Kosovës nuk ishin përfshirë në mësimin në distancë të organizuar në vitin shkollor 2019/2020 për shkak të pandemisë, që sipas tyre erdhi për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike.

“Autoritetet duhet të rrisin mbështetjen financiare për të rritur shërbimet sociale dhe shëndetësore me bazë në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe të rrisin përpjekjet për t’i integruar ato në mënyrë efektive në institucionet arsimore”, theksohet në raport.

Cilësia e arsimit mbetet e dobët, siç dëshmohet nga dy vlerësimet e fundit të Programit OECD për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA), me Kosovën që renditet e treta nga fundi, por Kosova mori pjesë edhe në një garë për Matematikë dhe Shkencë në vitin 2019, ku ka dalur si një ndër 10 vendet me rezultatet më të dobëta.

“Reformat janë ende prapa për shkak të mungesës së teksteve të përshtatshme, materialeve mësimore dhe skemave të qëndrueshme të zhvillimit profesional për mësuesit”, thuhet më tej

AKA – e vetmja lëvdatë në raport

Në Kosovë, përqindja e studentëve në arsimin e lartë mbetet e lartë, por shkalla e diplomimit është ende e ulët.

Por, sipas Raportit të Progresit, një çështje tjetër kryesore është mospërputhja midis rezultatit të arsimit dhe kërkesave për aftësim dhe Institucionet e arsimit të lartë duhet të investojnë më shumë në kërkime dhe të vlerësojnë arritjet shkencore, publikimet dhe performancën e mësimdhënësve

Për Komisionin Evropian integriteti akademik mbetet një çështje diskutabile, pavarësisht përmirësimeve si rezultat i shqyrtimit publik,

“Është arritur përparim në përmbushjen e kritereve minimale të transparencës (sipas normave ndërkombëtare) të institucioneve të arsimit të lartë”, thuhet më tej.

Komisioni Evropian ka theksuar se Kosova duhet të miratojë Ligjin e ri për Arsimin e Lartë që do të forconte autonominë dhe integritetin akademik të institucioneve të arsimit të lartë dhe do të përmirësonte sigurimin e cilësisë.

Por, ky raport ka lavdëruar punën e Agjencia Kosovare  të Akreditimit(AKA), e cila vazhdoi përpjekjet për të rimarrë anëtarësimin në Shoqatën Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrin Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR).

“Kapacitetet e Agjencisë u rritën me katër staf shtesë në 2020 dhe tetë vende të lira do të hapen gjatë vitit 2021”, theksohet në raport.

Raporti i Progresit theksoi se Agjencia arriti të përfundojë ciklin e plotë të akreditimit për vitin akademik 2021-2022, duke zvogëluar numrin e programeve dhe institucioneve , bazuar në kriteret e cilësisë.

“Anëtarët e rinj u emëruan në Bordin e AKA-së, të përzgjedhur përmes procedurave të hapura dhe transparente, pas dorëheqjes së pesë anëtarëve të Bordit”, thuhet më tej.

Arsimi profesional

Raporti i Progresit po ashtu ka theksuar se numri i nxënësve të shkollave të mesme që zgjedhin arsimin dhe aftësimin profesional (AFP) mbetet i lartë, por pothuajse të gjithë ata regjistrohen në arsimin e lartë më pas.

“Statistikat për vitin akademik 2019/2020 tregojnë se nga 77,907 studentë të regjistruar në arsimin e mesëm të lartë, 40,817 studentë janë të regjistruar në shkollat ​​e arsimit profesional, krahasuar me 37,090 studentë të regjistruar në gjimnaze”, thuhet më tej.

Sipas raportit, problemet e sistemit të AFP -së duhet të adresohen, veçanërisht mungesa e kurseve praktike, mungesa e materialeve mësimore dhe teksteve shkollore, bashkëpunimi i pamjaftueshëm mes shkollave profesionale dhe subjekteve afariste dhe më e rëndësishmja, mungesa e mundësive adekuate të zhvillimit profesional për mësuesit e AFP -së.

Me rreth 27 standarde të reja profesionale u miratuan nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve në vitin 2020, duke e çuar numrin e përgjithshëm të standardeve të miratuara profesionale në 122”, thuhet më tej.

Fëmijët me nevoja të veçanta

Raporti po ashtu i ka dhënë një trajtim të veçantë edhe fëmijëve me nevoja të veçanta se sa janë të integruar në arsim.

“Aktualisht, vetëm 86 mësues mbështetës dhe 71 asistentë po punojnë me fëmijë me nevoja të veçanta. Mungesa e asistentëve të mjaftueshëm i detyron prindërit të angazhojnë shërbime të tilla me financat e tyre”, thotë raporti.

Raporti po ashtu ka theksuar se shkalla e braktisjes së shkollimit mbetet më e lartë në mesin e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë edhe pse statistikat nuk janë të besueshme.

“Kosova duhet të rrisë mbështetjen për ekipet komunale të parandalimit të braktisjes. Kosova duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje përparimit të të mësuarit dhe arritjeve akademike në këto komunitete, ndërsa ato vazhdojnë të përballen me raste të diskriminimit në universitete”, thuhet më tej.

Rekomandimet e Raportit: Thirrje për mobilizim

Në lidhje me këto të gjetje të raportit, Petrit Tahiri, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC),  thotë se rekomandimet janë të njëjta sikurse vitin e kaluar, për shkak të pandemisë COVID-19.

“Është pritur që rekomandimet të jenë pak a shumë të njëjta sikurse vitin e kaluar, kur kemi parasysh faktin që gjatë këtij viti i gjithë fokusi i organizimit të procesit mësimor dhe funksionimit të sistemit arsimor në përgjithësi, është limituar në përballjen me pandeminë”, thotë Tahiri për KALLXO.com.

Por, sipas tij, megjithatë, gjetjet duhet të konsiderohen si thirrje për mobilizim të institucioneve për adresimin e rekomandimeve të ofruara.

“Veçanërisht, investimi në funksionalizimin e mekanizmave për sigurimin e cilësisë dhe mbështetja e shkollave për zbatimin e kurrikulës së re, duhet të jenë dy fushat kryesore të intervenimit”, thotë Tahiri.

Drejtori i KEC po ashtu shton se duhet të punohet edhe më shumë në organizimin e mësimit plotësues për orët e humbura nga pandemia.

“Në anën tjetër, edhe pse nuk përmendet në mënyrë të specifikuar në Raport, fushë tjetër ku duhet të punohet shumë është adresimi i pasojave që ka sjellë pandemia, pra, angazhim maksimal në organizimin e mësimit plotësues për të minimizuar humbjet mësimore”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Ndërsa, Rinor Qehaja nga organizata për arsim “EdGuard”,  tha për KALLXO.com se gjetjet dëshmojmë edhe njëherë për të metat strukturore në arsim.

“Për të cilët nevojitet përgjigje e koordinuar gjithë institucionale për reforma thelbësore që kanë mbështetjeje ndër politike. Instalimi i mekanizmave llogaridhënës është kyç që reformat të kanë zbatim dhe prekin problemet e vërteta. Mungesa e kompetencës profesionale vazhdon të jetë burim i plot problemeve përgjatë gjithë sektorit dhe kjo ka për burim mungesën e llogaridhënies. Dështimi në arsim është dështim në të ardhmen e të rinjve – e kjo padrejtësi duhet të merr fund sa më parë”, tha Qehaja.

Leave a Reply