Qeveria s’i vë vetes afat për emërimin e Koordinatorit për Dialog, s’kanë të dhëna për koston financiare

0
416

Në mbledhjen e fundit të qeverisë është marrë vendim për emërimin e Koordinatorit Shtetëror për Dialog me Serbinë i cili do t’i përgjigjet direkt kryeministrit Avdullah Hoti. Por emërimi i të njëjtit nuk ka ndodhur ende. Nga kabineti i Kryeministrit Hoti kanë thënë për Gazetën Express se nuk ka afat kohor për emërimin i Koordinatorit Shtetëror për Dialogun me Serbinë por që ky emërim nuk do të vonohet.

Kryeministri Avdullah Hoti në mbledhjen e 9t të qeverisë, po ashtu ka marrë vendim që të themelojë një Këshill të Ekspertëve për Dialog me Serbinë në kuadër të Zyrës së tij.

Me këshillin e ekspertëve do të udhëheqë Koordinatori Shtetëror për Dialog të cilin do ta emërojë kryeministri e që njëherit do të jetë edhe këshilltar i tij.

Sipas Zyrës së kryeministrit, nuk ka afat kohor emërimi i Koordinatorit por që emërimi i tij nuk do të vonohet.

“Nuk ka afat kohor se kur do të emërohet Koordinatori Shtetëror për Dialog, por ky emërim nuk do të vonohet”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të kryeministrit.

Në vendimin e qeverisë për themelimin e Këshillit të Ekspertëve për Dialog me Serbinë thuhet se buxheti i Këshillit të Ekspertëve përcaktohet me vendim të qeverisë në përputhje me ligjet në fuqi, megjithëse nuk është bërë e ditur se sa buxhet do t’i ndahet këtij këshilli apo sa anëtarë do të ketë.

Nga kabineti i Kryeministrit Hoti, kanë thënë për Express se numri i anëtarëve nuk do të jetë i madh dhe shpenzimet e këtij këshilli nuk do të jenë të mëdha.

“Meqenëse numri i anëtarëve nuk do të jetë i madh, kostoja e shpenzime për këtë këshill nuk mund të jetë e lartë. Gjithsesi, kur Këshilli i ekspertëve të formohet, ju do të njoftoni detajisht edhe për shpenzimet”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të kryeministrit.

Sipas vendimit të qeverisë, Koordinatori Shtetëror për Dialog sipas temave të dialogut në konsultim me kryeministrin mund të ftojë si anëtarë në Këshillin e Ekspertëve për Dialgun me Serbinë ekspertë nga institucinet publike, institucionet akademike dhe shoqëria civile, si dhe ekspertë të tjerë që kanë kompetencë profesionale në temat përkatëse.

Ndryshe, në qershor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese shpalli jo kushtetues ligjin dhe delegacionin shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë, që përbehej nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti i cili u miratua në dhjetor të vitit 2018 gjatë qeverisë Haradinaj.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 27 qershor 2019 thuhej se “ligji për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, është i papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës”.

Leave a Reply