Prokuroria e Prizrenit thotë se gjatë këtij viti kanë trajtuar 227 raste të dhunës në familje

0
34

Prokuroria e Prizrenit njofton se vetëm gjatë këtij viti ka trajtuar 227 raste të dhunës në familje.

Këtë e ka bërë të ditur sot përmes takimit përmbyllës të grupit koordinues të cilët merren me trajtimin e rasteve dhe veprave penale të dhunës në familje.

Në këtë takim thirrur dhe organizuar nga prokurorja dhe koordinatorja për rastet e dhunës në familje Mehreme Hoxha në kuadër të Prokurorisë Themelore në Prizren, ishin të pranishëm Kryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina njëherit koordinatore për rastet e dhunës në familje në kuadër të Prokurorit të Shtetit, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, përfaqësues nga Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit, mbrojtës të viktimave, përfaqësues nga Zyra për Ndihmë Juridike Falas, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, Strehimorja si dhe zyrtarë nga Shërbimi Sprovues.

Sipas njoftimit, të gjithë pjesëmarrësit në takim vlerësuan lartë bashkëpunimin që ekziston në mes institucioneve kompetente për trajtimin efikas dhe të shpejtë të këtyre rasteve, dhe u potencua se rastet e dhunës në familje janë rastet më të vështira për trajtim, pasi që në shumë raste si të dëmtuara paraqiten viktimat e ndjeshme.

Po ashtu, u theksua se përkundër sfidave dhe vështirësive të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me dhunë në familje, janë kryer me prioritet. Kështu, në Prokurorinë Themelore në Prizren, vetëm gjatë këtij viti janë kryer gjithsej 227 lëndë të cilësuara si dhunë në familje, ndërsa aktualisht në punë janë 15 lëndë.

“Si rezultat i diskutimeve, me qëllim të trajtimit sa më efikas të këtyre rasteve, në fund të takimit nga pjesëmarrësit u nxorën rekomandimet që në të ardhmen të përmirësohen kallëzimet penale lidhur me rastet e dhunës në familje, e në veçanti të bëhet vlerësimi i rrezikshmërisë te viktima, pastaj u rekomandua që përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale çdo herë të jenë të pranishëm kur kemi të bëjmë me viktima të ndjeshme, si dhe u kërkua që të bëhet fuqizimi i strehimoreve përmes përkrahjes financiare nga institucionet relevante shtetërore”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply