Prizreni vazhdon mbështetjen për 5.000 familje skamnore me pako ushqimore e higjienike

0
94

Komuna e Prizrenit synon që të vazhdojë mbështetjen për familjet skamnore të rrezikuara nga pandemia COVID-19.

Sipas autoriteteve lokale edhe në këtë fazë, 5 mijë familje do të përfitojnë pako ushqimore dhe higjienike. Bazuar në të dhënat e publikuara në sistemin elektronik të prokurimit publik, aktiviteti “Furnizim me pako ushqimore për familjet skamnore të rrezikuara nga COVID-19 në Komunën e Prizrenit” është iniciuar në fund të muajit nëntor të vitit të shkuar, me ç’rast në njoftimin për kontratë shkruan se afati kohor për dorëzimin e tenderëve është shkurtuar.

“Drejtoria për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit, duke pas parasysh keqësimin e gjendjes ekonomike të familjeve skamnore, sidomos pas rrezikimit të gjendjes së tyre edhe nga COVID-19, ka vendosë që këto familje ti ndihmojë edhe me nga një pako ushqimore dhe higjienike. Numri i familjeve që do të ndihmohen është 5,000, ndërkaq përshpejtimi i procedurave ndodhë me qëllim të furnizimit me pako të këtyre familjeve sa më parë të jetë e mundur, pa rrezikuar as konkurrencën në treg”, shkruan aty.

Ndërsa rishtazi është publikuar edhe njoftimi për dhënie të kontratës, ku theksohet se tenderi i përgjegjshëm me çmim më të ulët ka qenë oferta me shumën prej afër 180 mijë eurove.

Në takimin e fundit me qytetarët, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka bërë të ditur se pushteti lokal për shkak të pamundësisë së ofrimit të mbështetjes me subvencione është munduar që t’i dalë në ndihmë nevojtarëve përmes kategorisë buxhetore për mallra dhe shërbime.

“Kemi bërë pako ushqimore dhe higjienike, 5 mijë sosh… Në fazën e dytë kemi edhe 5 mijë pako të tjera. Pra, në total i kemi 10 mijë pako ushqimore e higjienike, të cilat janë shpërndarë ose që do të shpërndahen në të ardhmen”, është shprehur Haskuka.

Paraprakisht, Komuna e Prizrenit ka njoftuar se krahas pakove ushqimore e higjienike, nevojtarët nga skemat e ndryshme sociale janë ndihmuar edhe me dru për ngrohje, në dy faza.

Në këtë rast, Haskuka ka theksuar se pandemia ka ndikuar negativisht në gjendjen ekonomike të qytetarëve, që është manifestuar me rritjen e aplikimeve për përfitim të druve për ngrohje, “ku përveç familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe familjeve në nevojë, janë pranuar 450 kërkesa edhe nga familjet që nuk gjenden në databazën e Qendrës për Punë Sociale”.

Raporti i vlerësimit të ndikimit socio-ekonomik të COVID-19 në Kosovë, i publikuar nga UNDP, UN Women dhe UNFPA, ka konstatuar se implikimet financiare, që burojnë nga pandemia, në familjet në Kosovë vazhduan të jenë shqetësuese.

“Më shumë të anketuar deklaruan se kanë humbur vendet e tyre të punës në nëntor 2020 (11%) krahasuar me majin 2020 (8%). Shumica e atyre që kishin humbur vendin e punës nuk morën ndihmë financiare ose përfitime nga papunësia. Mbështetja në të mira materiale për familjet mbeti pothuajse inekzistente”, shkruan në raport, duke shtuar edhe se: “fakti që rreth 25% e të anketuarve raportuan vështirësi në qasjen në ushqim, pajisje mbrojtëse personale dhe shërbime shëndetësore që nga nëntori i vitit 2020 kërkon vëmendje”.

Në anën tjetër opozitarët në Prizren kanë propozuar që krahas pakove ushqimore e higjienike për nevojtarët, të shqyrtohet mundësua që edhe të prekurit me COVID-19 të mbështeten me nga 500 euro, marrë parasysh koston e lartë të medikamenteve për trajtim, si dhe të përkrahen financiarisht edhe familjarët e atyre që kanë ndërruar jetë nga COVID-19./Koha.net

Leave a Reply