Prizreni në prag të shpalljes së kandidatëve për kryetar, VV-ja me shumë paqartësi

0
69

Zgjedhjet lokale priten të mbahen në vjeshtë, ndërsa partitë politike në Prizren tashmë janë duke punuar rreth zyrtarizimit të kandidaturave.

Përderisa është përfolur se kryetari aktual i kësaj komunë, Mytaher Haskuka, mund të kandidojë edhe për një mandat, bashkëpartiakja e tij Drita Millaku ka paraqitur kandidaturën e saj brenda partisë.

Mirëpo, Vetëvendosje ende nuk ka marrë një vendim rreth kandidaturës së Millakut, duke bërë me dije se numri i kandidatëve eventual mund të rritet ende.

“Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka shpallur ndonjë afat zyrtar për paraqitje të kandidaturave. Rrjedhimisht, është herët të flitet për këtë çështje. Ne jemi subjekt demokratik dhe shpallja e synimeve të tilla është në të drejtën e çdo anëtari. Numri i kandidatëve eventual mund të rritet”, ka thënë kryetari i degës së VV-së në Prizren, Artan Abrashi.

Ndërsa, PDK-ja pritet që shumë shpejt të zyrtarizojë Shaqir Totajn për kryetar të Prizrenit, i cili tashmë ka shpallur kandidaturën e tij.

“PDK-ja, në nivel qendror, ka bërë një plan të shpalljes së zyrtarizmit të kandidaturave. Natyrisht do të fillohet me ato komuna që nuk ka dilema rreth kandidatëve. Prizreni është njëra nga komunat që nuk ka dilema rreth emrave të kandidatëve. Edhe në degën në Prizren, por edhe në nivel qendror ku jam nënkryetar, nuk ka dilema se kush duhet të jetë kandidat i Komunës së Prizrenit dhe tashmë vetëm presim zyrtarizmin e kandidaturës, e cila është dashur të ndodhë në prill, por do të bëhet besoj javën e parë të majit. Pastaj ne do të vazhdojmë me pjesën tjetër të përgatitjes së shtabit dhe shpalosjes së projekteve”, ka thënë Totaj.

Totaj ka folur edhe për planet konkrete të PDK-së dhe qeverisjen e Haskukajt.

Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka ende asnjë kandidat.

“Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Dega në Prizren, janë duke u diskutuar format për kandidaturën e kandidatit për kryetar të ardhshëm të Prizrenit, por deri më tani nuk kemi akoma asnjë kandidat. Natyrisht, ky vendim do të merret edhe në bashkëpunim me nivelin qendror dhe degën, por për momentin është duke u diskutuar dhe ende nuk është vendosur se kush do të jetë. Por, besoj që kushdo që të jetë, do të jetë një kandidat serioz për Komunën e Prizrenit”, është shprehur Ilir Baldedaj, asamblist i AAK-së në Prizren.

NISMA është e vetmja parti që nuk ka pasur dilema, duke zyrtarizuar tashmë Zafir Berishën si kandidat për kryetar.

Berisha tregon se cilat janë synimet e tij për qeverisjen e Prizrenit.

Që nga paslufta, në Prizren për dy mandate ka qeverisur Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Eqrem Kryeziun. Dy mandate para Haskukajt, ka qeverisur Partia Demokratike e Kosovës me Ramadan Mujën.

Leave a Reply