Prizren, shtyhet gjykimi ndaj dy të akuzuarve për sulm në një tubim elektoral të AAK-së në vitin 2017

0
393

Mungesa e anëtarit të trupit gjykues dhe prokurori të rastit u bë shkak që të shtyhet seanca e paraparë për të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, për rastin ku Mixhid Sedolli dhe Sulë Dakaj akuzohen për sulm në një tubim elektoral të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AKK), në vitin 2017.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi bëri të ditur se gjykatësi Xheladin Osmani nuk mund të jetë prezent për shkaqe shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse lidhur me mungesën e prokurorit Metush Biraj, gjykatësja Skenderi tha se i njëjti, me anë të parashtresës së 9 nëntorit 2020, e ka njoftuar gjykatën se për seancën e sotme nuk do të jetë prezent, pasi është në një gjykim tjetër te gjykatësja Raima Elezi.

Në këto rrethana, seanca e së premtes u shty për 26 janar 2021, në ora 10:00.

Ndryshe, ky rast ishe duke u gjykuar nga Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, mirëpo pas vendimit të Gjykatës së Apelit, lënda është dërguar në kompetencë të Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prizren, me 21 korrik 2020.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 30 mars 2018, i pandehuri Mixhid Sedolli akuzohet se më 3 tetor 2017, rreth orës 21:00, në fshatin Vërshec të Suharekës, në shtëpinë e Ilmi Tixhajt, deri sa ishte duke u mbajtur një tubim elektoral i AAK-së, (Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës), ishte premtuar sjellja e një burimi të ujit të pijes nga mali në fshat.

Tutje, sipas aktit akuzues, me këtë qëndrim për sjelljen e ujit nuk është pajtuar i pandehuri Mixhid Sedolli, me arsyetimin se ky burim i ujit ishte pronë e tij, nga i cili moment kishte filluar mosmarrëveshja mes të pandehurit Mixhid dhe Sulë Dakajt, ku thuhet se të pranishmit në atë takim kishin ndërhyrë për t’i ndarë.

Sipas aktit akuzues, pasi del jashtë i pandehuri Mixhid, shkon në shtëpi dhe merr pushkën e gjatë (dhjetëshe), ku nga largësia prej 300-400 metrave gjuan me armën katër herë në ajër, ku më pas i është afruar edhe shtëpisë ku ka qenë duke u mbajtur tubimi, ku e ka vërejtur Hashim Tixhaj, i cili e ka bindur të akuzuarin për tu larguar, duke e përcjellë deri në shtëpinë e tij.

Me këto veprime, i pandehuri Mixhid Sedolli akuzohet se ka kryer veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sipas pikës dy të aktakuzës, i pandehuri Mixhid akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin më lartë, ka poseduar në kundërshtim me ligjin pushkën 10-tshe, të cilën e ka fshehur dhe nuk ka mundur të gjendet nga policia.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërsa sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, në kohë dhe vend të njëjtë, i pandehuri Mixhid akuzohet se ka përdorur fjalë fyese ndaj Sulë Dakajt, ku edhe e ka sulmuar fizikisht, e që janë ndaluar nga të pranishmit aty.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “sulmi”.

Ndërsa sa i përket të pandehurit Sulë Dakaj, ai po akuzohet se më datë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë të aktakuzës, me dashje e ka përdorur forcën ndaj Mixhid Sedollit, ku për shkak të burimit të ujit e ka sulmuar dhe më pas kanë ndërhyrë të pranishmit për t’i ndalur.

Me këto veprime, i pandehuri Dakaj akuzohet se ka kryer veprën penale ”sulmi”. /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply