Presidentja Osmani i premton mërgatës: Votimet e ardhshme, nga ambasadat

0
66

Në kuadrin e vizitës së saj zyrtare në Zvicër, kryetarja e Parlamentit të Kosovës, njëherësh ushtruese detyre e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, është duke zhvilluar një takim me përfaqësues të mërgatës në Zvicër, në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Zvicër.

bredhi

Takimin e ka hapur me një fjalë rasti ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, Sami Ukelli.

Duke ju drejtuar bashkatdhetarëve të pranishëm, zonja Osmani ka vënë në pah arritjet e diasporës dhe kontributin e saj të padiskutueshëm për të gjitha zhvillimet në atdhe, raporton albinfo.ch.

Ajo ka folur edhe për disa nga përcaktimet që institucionet e reja kanë marrë për t`i realizuar në raport me diasporën. Si pikë e parë në këtë drejtim, sipas zonjës Osmani është ndërrimi i ligjit për zgjedhjet, i cili duhet që urgjentisht të mundësojë votimin në përfaqësitë diplomatike dhe konsullare në vendet ku jeton mërgata.

“Kthimi i trurit” është përcaktimi i radhës i institucioneve kosovare në raport me diasporën, çështje për të cilën presidentja në detyrë ka pranuar se është bërë fare pak, shkruan albinfo.ch. Ndërsa mbështetja e mësimit plotësues në gjuhën shqipe dhe çështja e kartonit të gjelbër janë edhe dy pikat me prioritet për institucionet kosovare që do të dalin nga zgjedhjet e fundit.

Në vazhdim, pjesëmarrësit në këtë takim janë duke zhvilluar një debat të gjallë me mysafiren nga Kosova.

Nesër, më 3 mars, presidentja në detyrë, edhe në cilësinë e kryetares së Parlamentit të Kosovës do të pritet nga kryetari i Dhonës Nacionale të Parlamentit të Zvicrës, Walter Aebi.

albinfo.ch do të japë edhe raportim më të gjerë nga takimi dhe nga konferenca për medi a që do të mbahet pas pritjes së saj në isntitucionet zvicerane.

Leave a Reply