Pozitë e opozitë synojnë kryesuesin e ri të Kuvendit në Prizren

0
141

Kuvendarët e Prizrenit janë përshëndetur me kryesuesin e Kuvendit.

E kanë falënderuar për bashkëpunimin që ka treguar gjatë dy viteve të punës së tij.

Kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit, Artan Abrashi, në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur të zgjedhet deputet i Kuvendit të Kosovës.

Ai, është përshëndetur me kuvendarët, edhe pse pas rinumërimit të votave dhe shtyrjes së certifikimit të zgjedhjeve mund ta mbajë edhe një seancë të Kuvendit.

Partitë politike po planifikojnë zëvendësimin e Abrashit.

Përveç partive në koalicion, këtë post e synon edhe opozita.

Koalicioni VV-LDK nuk i ka numrat e mjaftueshëm për të zgjedhur kryesuesin e ri, pas prishjes së koalicionit me Nismën.

Artan Abrashi, i cili është edhe kryetar i Vetëvendosjes në Prizren tha se ende nuk është diskutuar emri që do të zëvendësojë atë.

“Jo nuk kemi diskutuar ende për këtë çështje”, tha ai për “PrizrenPress”.

Abrashi beson se kryesuesi i ri do të jetë nga Vetëvendosje.

“Besoj se i kemi numrat e mjaftueshme “, tha ai.

Partia Demokratike e Kosovës(PDK) në Prizren ka diskutuar për garën e zgjedhjes së kryesuesit të Kuvendit.

Ky subjekt politik në Kuvend përfaqësohet me numrin më të madh të kuvendarëve.

Shefi i tyre, Simir Krasniqi konfirmon se në parti është diskutuar çështje e zgjedhjes së kryesuesit të ri të Kuvendit.

“Në parti është diskutuar, por ne kuvendarët nuk e kemi diskutuar ende”, tha ai.

Sipas tij, në ditët e ardhshme do të diskutohet edhe me partitë tjera opozitare.

“Do të diskutojmë me AAK-në dhe Nismën”, tregon Krasniqi./PrizrenPress.com/

Leave a Reply