Pesë shkolla të Prizrenit prej një viti me ushtrues detyre

0
28

Këshilltarët opozitarë në Kuvendin e Komunës së Prizrenit kanë akuzuar Ekzekutivin lokal për shkelje ligjore në raport me pesë ushtruesit e detyrës së drejtorëve të shkollave.

Sipas tyre, lidershipi komunal është dashur që të ndërmarrë veprime ashtu që këto shkolla të mos drejtohen nga ushtruesit e detyrës që prej fundit të qershorit të këtij viti. Kritika të ngjashme ka shprehur edhe ish-drejtori i Arsimit, Gani Gërmizaj, i cili ka theksuar se këta u.d. të shkollave janë akoma në detyrë në mënyrë të paligjshme, shkruan sot “Koha Ditore”.

Lidhur me këtë çështje njëri prej kandidatëve që ka marrë pjesë në konkursin e shpallur për drejtor shkolle javë më parë ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit me pretendimin se kryetari i Komunës me emërimin e pesë u.d. të shkollave ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Në anën tjetër, në seancën e fundit të KK-së kryetari Mytaher Haskuka ka sqaruar se organet komunale janë në pritje të akteve plotësuese të legjislacionit të ri në mënyrë që pastaj të vazhdohet me zgjedhjen e drejtorëve në këto pesë shkolla.

Këshilltarja nga radhët e PDK-së, Dafina Bllaca, në foltoren e KK-së ka pyetur Haskukën se përse nuk ka reaguar “që tash e një vit jashtëligjshëm ushtrojnë detyrën e drejtorit 5 drejtorë të shkollave të Prizrenit”.

Ndërsa Ilir Baldedaj i AAK-së ka theksuar se pushtetarët në Prizren akuzojnë përditë të tjerët, derisa nuk merren me problemet që i kanë krijuar vetë, sikurse që është ai me u.d. të drejtorëve të shkollave që, sipas tij, po manifestohet negativisht në procesin arsimor dhe në aktivitetet jashtëshkollore.

Ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Prizrenit, Gani Gërmizaj, ka shprehur qëndrimin se Hakuka tash e një vit mban në mënyrë të jashtëligjshme 5 u.d. drejtorë të shkollave. “Ata akoma janë në detyrë në mënyrë të paligjshme”, është shprehur ai.

Leave a Reply