PDK-ja për t’u futur në Qeveri kërkon ministri sa LDK-ja dhe pozitën e presidentit

0
335

PDK-ja po kërkon që në këmbim të hyrjes në Qeveri t’i marrë ministritë aq sa i ka LDK-ja, si partia kryesore e koalicioni dhe pozitën e presidentit.

Partia Demokratike ka vendosur çmim për t’u bërë pjesë e Qeverisë, pas disa muajve në opozitë, pasi i kaloi në pushtet 15 prej 20 vjetëve të pasluftës. Gazeta Express mëson se partia e Kadri Veselit, për të hyrë në Qeveri, po i kërkon ministritë aq sa i ka LDK-ja, që i bie gjashtë ministri.

Jashtë kabinetit qeveritar, PDK-ja dëshiron të mos e lëshojë pozitën e presidentit, të cilën e mban lideri i saj shumëvjeçar, Hashim Thaçi.

Lëvizjet kanë nisur, por nuk po dihet saktësisht se çka po ndodh. Dje, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, që është pretendent për president, ka takuar presidentin e tanishëm Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.

Ndërkaq, sot në Kuvend, Haradinaj i takoi partnerët e koalicionit: kreun e LDK-së, Isa Mustafa dhe atë të Nismës, Fatmir Limaj.

Zgjedhja e presidentit të ri ka afat deri në marsin e vitit 2021, por pritjet nga Haga, kanë nisur më herët kalkulimet. Nesër, më 24 tetor, është afati i fundit kur Tribunali Special e konfirmon ose e hedh poshtë aktakuzë ndaj Thaçit dhe Veselit, për krime lufte.

Deri tash, vetëm ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka shpallur kandidaturën e vet për president të vendit. Për të nuk kanë deklaruar përkrahje as partnerët e koalicionit e as PDK-ja. Për çështjen e presidentit, të gjithë akterët politikë thonë se do të flasin “kur të vijë koha”. 

Leave a Reply