PDK-ja dhe LDK-ja presin që kryeministri vullnetarisht të raportojë për bisedimet në Bruksel

0
399

Dy partitë më të mëdha opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë vendosur të mos e ftojnë në raportim kryeministrin Albin Kurti, përkundër kritikave se ai është duke u treguar jotransparent lidhur me procesin e dialogut. PDK-ja e LDK-ja thonë se për këtë temë do të konsultohen me grupet e tyre parlamentare, derisa presin që vetë Kurti të raportojë për takimet në Bruksel. E Kurti e ka bërë të qartë më herët se takimet e tij në Bruksel janë përgatitje për dialogun dhe se ende nuk ka agjendë.

Përkundër kritikave për mosraportim lidhur me takimet e mbajtura në Bruksel, partitë opozitare nuk do ta ftojnë në interpelancë kryeministrin Albin Kurti. Dy grupet më të mëdha parlamentare opozitare në Kuvend, PDK-ja dhe LDK-ja, ia kanë lënë në dorë Kurtit për ta bërë një gjë të tillë. Të paktën për momentin. Shefi i grupit të deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se lidhur me hapat që do të ndërmarrin do të diskutojnë me deputetët, por edhe me kryetarin e partisë, Memli Krasniqi.

Tahiri nuk ka treguar se kur do të merret një vendim i tillë, derisa ka lënë të hapur edhe muajin shtator, pas pushimit veror të legjislativit, për të marrë iniciativën për raportimin e kreut të Qeverisë.

“Nuk i kemi bërë presion as për seancë as për raportime të tilla. Ne besojmë që kryeministri Kurti dhe Qeveria do të reflektojnë në këtë proces dhe do të vijnë që ta prezantojnë agjendën e shtetit tonë në këto bisedime”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të PDK-së.

Tahiri e ka cilësuar si sjellje arrogante, qëndrimin e kryeministrit karshi institucionit të Kuvendit e opozitës lidhur me bisedimet e zhvilluara me Serbinë.

“Ne nuk dimë për agjendën e Qeverisë së Republikës e Kosovës në raport me Republikën e Serbisë, por në anën tjetër, nuk kemi raport se çka bisedohet në ato takime dhe cilat janë temat që ngrihen”.

Se do të kenë konsultime brenda grupit parlamentar, e kanë thënë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Në një përgjigje të shkurtër, deputetja e kësaj partie, Rrezarta Krasniqi, ka bërë të ditur se për interpelancën e Kurtit lidhur me dialogun me Serbinë pritet të vendosin javën tjetër. Ndërkohë, vetë Kurti disa herë ka thënë se në takimet në Bruksel nuk ka ende tema të dialogut. Sipas tij, dy takimet janë më shumë përgatitje për dialog, andaj edhe nuk ka agjendë të dialogut.

Por, sipas shoqërisë civile, partitë në opozitë do të duhej të ishin më aktive sa i përket këtij procesi. Arbër Fetahu, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike thotë se përveç që Qeveria duhet të vetiniciojë raportime për bisedimet me Serbinë, edhe subjektet politike do të duhej të bënin kërkesa të tilla.

“Nëse opozita është e dobët dhe nuk ka kërkesa…, nëse nuk kritikon dhe nuk thërret për raportim qeverinë kur duhet dhe kur është nevoja, atëherë edhe qeverisë i krijohet një lloj komoditeti se gjithçka po shkon në rregull”, ka thënë Fetahu.

Ai është i bindur se opozita, duke e njohur ndjeshmërinë e procesit por edhe qeveri, duke e parë se si rrjedh ai, janë duke hezituar që të merren më në detaje me të. Megjithëkëtë, Fetahu thotë se është në të mirë të publikut që të kemi një informacion të përgjithshëm bazik, por edhe më të thelluar kur është koha, duke shtuar se ekzekutivi nuk duhet të mjaftohet vetëm me njoftimet e dhëna në rrjetet sociale.

Në paraqitjen e parë para deputetëve, në seancën e së enjtes, pas vizitës 14-ditore jashtë vendit, e takimit të së hënës me Serbinë, kryeministri Albin Kurti, nuk iu përgjigj asnjërës prej kritikave të opozitës.

E lidhur me raportimin në Kuvend për takimin në Bruksel, KOHA nuk ka marrë përgjigje nga Zyra e kryeministrit tash e dy ditë. Një ditë më parë, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kritikave të opozitës për mostransparencë, u është përgjigjur me renditjen e njoftimeve të bëra në rrjetet sociale nga kryeministri pas dy takimeve të mbajtura, atë të 15 qershorit e të 19 tetorit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Qytetarët janë në dijeni për propozimet, kërkesat dhe dokumentet e prezantuara nga Republika e Kosovës nga këto takime, sepse kryeministri Kurti është treguar i hapur dhe transparent”, ka thënë ndër tjerash Kryeziu të enjten.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar të hënën, më 19 korrik në Bruksel për herë të dytë në kuadër të dialogut mes dy shteteve. Por, sikurse edhe në takimin e parë, as nga ky takim nuk është arritur ndonjë dakordim mes palëve. Takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë, sipas përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak do të mbahet në fund të gushtit mes ekipeve negociuese, kurse ai i nivelit të lartë, Kurti-Vuçiq në muajin shtator.

Leave a Reply