PDK-ja akuzon pushtetin lokal në Prizren për gjendjen në arsim

0
374

PDK dega në Prizren, ka akuzuar qeverisjen komunale të drejtuar nga Mytaher Haskuka, lidhur me gjendjen në arsim.

Komunikata e plotë e PDK-së:

1. Çerdhja publike “11 Marsi” në Prizren!

Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren, duke manipuluar me qytetarët dhe fëmijët e komunës, me datë: 22.07.2020 ka hapur konkursin nr: 2792/20 për institucionin publik parashkollor në lagjen ’’11 Marsi’’ në Prizren. Kjo çerdhe akoma nuk është funksionale edhe pse anëtarët e stafit të brendshëm janë pranuar në punë si në vijim:

– 14 edukatore

– 1 pedagog, 1 psikolog, 1 mjek dhe

– 7 punëtorë ndihmës-teknik.

Paradoksale është se kjo çerdhe publike, ende nuk ka drejtorë të shkollës, kurse stafi i brendshëm tani veqse është pranuar në punë.

Imponohet pyetja se pse nuk po fillon punën kjo çerdhe publike edhe pse ka pasur për të filluar në shtator 2020. Është një shembull i keqqeverisjes, ngase Komuna e Prizrenit nuk e ka planifikuar fare dhe nuk ka marrë pëlqim nga MASH, për kod buxhetor për stafin e çerdhes.

24 vendet e punës nuk kanë qenë të planifikuara dhe kjo po paraqet vështirësi në nënshkrimin e kontratave.

Me datë: 18.09.2020 është publikuar lista e edukatoreve dhe të tjerëve të pranuar në punë, ku sot e kësaj dite ende nuk kanë filluar punën.

Kryetari Haskuka për kinse promovim të punës së vet dhe për reklama televizive keqinformon qytetarët, ndërsa prindërit janë të zhgënjyer ngase ky kryetar pa vizion, pa aftësi qeverisëse, manipulon qytetarët, pretendon se po punojnë për qytetarët, por në fakt është duke i zhgënjyer ata.

2. Platforma EDUPrizren.com

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka krijuar platformën E-Mësimi, si platformë digjitale për të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës, për përmbushjen e rezultateve të të nxënit sipas planifikimit të MASH. Gjithashtu, sipas rekomandimeve të MASH, RTK si televizion publik, transmeton mësimin online për të gjithë nxënësit e komunave të Republikës së Kosovës.

Platforma E-Mësimi është në përputhje me udhëzimet e MASH për vitin shkollor 2020/2021 në kushtet e pandemisë Covid-19 dhe është funksionale dhe efikase për të gjitha komunat e Kosovës. Ndërsa, Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren, paska bërë një platformë tjetër EDUPrizren.com, ku ky projekt paska kushtuar diku mbi 100 mijë euro.

Shtrohen pyetjet si në vijim:

•             Sa do të jetë i nevojshëm ky projekt për realizimin e rezultateve?

•             A janë bërë hulumtime që argumentojnë arsyeshmërinë e kësaj platforme?

•             Për projektin në fjalë a janë marrë propozimet e komunitetit arsimor në Prizren?

•             A është marrë pëlqimi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ngase ky projekt mundet me qenë në kundërshtim me Platformën E-Mësimi të Ministrisë së Arsimit.

•             DKA në Prizren, a ka planifikuar mjete buxhetore për këtë platformë?

•             A kanë shkollat infrastrukturë të pranueshme për këtë platformë?

Mos ndoshta ishte më e arsyeshme që këto mjete të investohen në infrastrukturën e teknologjisë nëpër shkolla, ku është esenciale për zhvillimin e mësimit online (nga distanca), ku ka shumë platforma online pa pagesë dhe vetëm me disa trajnime, këto platforma mund të gjenin zbatim në mësimdhënie (një platformë e tillë është edhe google classroom që tani po përdoret edhe nga Universiteti i Prishtinës, ku ka edhe shumë pjesë tjera integruese si psh: google chat, google meet etj).

Tenderin për këtë platformë e ka fituar Besim Dida, i cili siç shihet në fotot e profilit të tij në facebook, është militant i Lëvizjes Vetëvendosje.

A thua vallë ky na qenka depolitizim i arsimit?

A na qenka kjo parolla e famshme e VV-së se “me Mytën do ta mbysim  korrupsionin”?

Prandaj, ne si parti, nuk e përjashtojmë mundësinë që përmes kallëzimit penal, të iniciojmë dhe të kërkojmë nga organet e drejtësisë, që të hetohet ky manipulim dhe keqpërdorim i buxhetit të komunës dhe ky shpenzim joracional i taksave të qytetarëve të Komunës së Prizrenit.

Leave a Reply