Parandalohet futja e drogës në Burgun e Prizrenit

0
426
Foto: Ilustrim

Një bastisje brenda dhomave të Qendrës së Paraburgimit në Prizren është ndërmarrë mëngjesin e sotëm.

Kjo pasi që oficerët korrektues kishin vërejtur disa lëvizje të dyshimta të të burgosure në shëtitoren e Qendrës së Paraburgimit.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 8:20, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren oficerët korrektues kanë arritur të parandalojnë futjen e substancave narkotike në QP Prizren.

“Fillimisht oficeret korrektues kanë vërejtur disa lëvizje të dyshimta të të burgosurve në shëtitoren e Q.P Prizren dhe menjëherë kanë filluar bastisjen brenda dhomave të qendrës, me ç`rast bastisja ka rezultuar pozitive, ku gjatë bastisjes në njërën nga dhomat është gjetur një shishe e plastikes e madhësisë O.5l, e shpuar, e cila dyshohet se mundë të është përdorë për konsumim të substancave narkotike”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Tutje në njoftim thuhet se gjatë bastisjes ka rrjedhur informacioni se substanca narkotike po hedhet nga rruga dhe mbase mund të ketë mbetur në kulm, dhe si rezultat i saj në kulmin e Q.P. Prizren është gjetur një pako cigareje ku në brendinë e saj kishte substancë narkotike.

“Lidhur me këtë rast, oficerët korrektues kanë lokalizuar substancën e dyshuar narkotike dhe menjëherë kanë njoftuar Njësitin Antidrogë të Policisë së Kosovës”, ka thënë SHKK.

Ndaj të paraburgosurit për të cilin po dyshohet se droga ka qenë e dedikuar për të, është iniciuar procedurë disiplinore.

Përveç të paraburgosurit, procedurë disiplinore është iniciuar edhe ndaj shokëve të dhomës së tij.

“Me qëllim të eliminimit të dukurive negative nëpër institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë ta ketë primare luftimin e dukurive negative dhe kontrabandës”, thuhet në fund të njoftimit të SHKK-së.

Leave a Reply