Osmani: 28 Nëntori ditë krenarie e shprese, Kosova e Shqipëria duhet të forcojnë lidhjet shpirtërore

0
31

Ushtruesja e detyrës e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar datën 28 nëntor. Në 108-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ajo i ka dërguar një telegram urimi presidentit Ilir Meta.

“Flamuri kombëtar prek ndjenjën e ekzistimit të kombit në histori. Ai është trashëgimi e përjetësuar në simbol. Qysh nga koha e Skënderbeut, ai i bën krenarë shqiptarët dhe i bashkon rreth një fryme. Prandaj, ata janë fort të lidhur për të, sepse, përveç tjerash, ua simbolizon lirinë. Kështu qe në Krujë, më 1443, në Vlorë më 1912 e në Prishtinë, më 1999. Prandaj, nuk është aspak rastësi që shqiptarët janë ndër të paktët popuj, i cili, duke treguar respektin e skajshëm ndaj këtij simboli, e ka lartësuar atë edhe në simbolin tjetër, himnin kombëtar”, thuhet në telegram.

Osmani, më tej në urim, ka shkruar se lidhjet mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të forcohen. Ajo ka thënë se dy shtetet po ecin krahas njëra-tjetrës, në procesin e integrimit evropian, duke ndihmuar njëra-tjetrën.

“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tonë. Prandaj, tash kur vizioni i brezave për liri është kurorëzuar edhe me pavarësinë e Kosovës, lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e ngulmimit për vlerat e lirisë dhe e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, po shndërrohen dalëngadalë në faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës, si dy shtete sovrane, në procesin e integrimit evropian, duke e njohur dhe ndihmuar njëra-tjetrën”, përfundon telegrami i Osmanit.

Leave a Reply