Opozita: Serbia s’e ka ndaluar fushatën për çnjohjen e Kosovës, Qeveria Hoti ndaloi aplikimin në organizata ndërkombëtare

0
418

Për më shumë se 32 muaj, Kosova ende nuk ka marrë zyrtarisht asnjë njohje të shtetit, përderisa disa vende e kanë çnjohur atë pas lobimit të bërë nga Serbia, shkruan GazetaBlic.

Përkundër kësaj, Qeveria e Kosovës ka vendosur edhe që të mos aplikojë në organizata ndërkombëtare, vendim ky që u mor në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Mosanëtarësimi në UNESCO për disa vite me radhë, për ish-shefin e kabinetit të ish-ministrit të Punëve të Jashtme Glauk Konjufca, Kreshnik Ahmeti ka qenë goditje e rëndë për Kosovën.

Ahmeti për GazetaBlic ka theksuar se Qeveria Hoti ka ndaluar aplikimin në këto organizata ndërkombëtare, ndërkohë që siç ka thënë ai, Serbia s’e ka ndaluar fushatën për çnjohjen e Kosovës.

“Republika e Kosovës ka pësuar një goditje të rëndë pas dështimit për anëtarësim në UNESCO. Ngutia dhe aplikimi pa përgatitje të duhur nga kabineti i atëhershëm i ministrit Thaçi, nxitën fushatën agresive të Serbisë kundër Republikës së Kosovës dhe vendosën diplomacinë tonë në defansivë. Përveç kësaj, dialogu me Serbinë që nga viti 2011 ka qenë procesi më i dëmshëm për njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Repulikës së Kosovës. Në vend se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i vitit 2010, të rezultonte me një ofansivë diplomatike të Kosovës, Qeveria e atëhershme e Thaçit e vendosi vendin në defansive diplomatike duke filluar dialogun me Serbinë, për çështjet e brendshme të Kosovës. Këto dy momente, dështimi në UNESCO dhe dialogu me Serbinë, janë shkaktarët e performancës së dobët të Repulikës së Kosovës në politikën e jashtme. E para ka përcaktuar sinjalin për Serbinë që ta fillojë luftën e saj më të ashpër dhe më të hapur diplomatike, ndërsa e dyta ka ndërtuar diskursin e Serbisë në këtë luftë: pra sipas Serbisë, që Kosova nuk duhet njohur sepse të dy vendet ende janë në negociata dhe statusi nuk dihet deri në fund të tyre”, tha ai.

“Ky është njëri ndër vendimet më të dëmshme dhe njëra prej goditjeve më të rënda që i ka pranuar Republika e Kosovës nga brenda. Neve nuk duhet të na befasojë fushata e Serbisë kundër nesh, por është e paimagjinueshme që Qeveria e Republikës së Kosovës të ndalë procesin e aplikimeve, e madje të shkojë edhe më tutje duke tërhequr aplikimet e mëparshme, siç ndodhi me aplikimin për aderim në Konventën e Gjenevës. Kjo kastë e vjetër politike, një herë e largoi denominimin Republikë nga emri i Kosovës, duke ia vendosur një fusnotë, ndërsa tash aktivisht ndalon anëtarësimet në organizata ndërkombëtare. Kjo mendësi është mendësi dhe praktikë kundër Republikës dhe institucioneve të saj. Ne duhet t’i fokusojmë energjitë tona në sa më shumë anëtarësime e njohje dhe në rrjetëzim sa më të madh të pranisë së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Por, Qeveria Hoti me këtë vendim, pas heqjes së reciprocitetit, e ka shtyrë pozicionin e Kosovës më afër Kushtetutës së Serbisë, sesa të Kushtetutës së Republikës sonë. Këtu duhet kuptuar një gjë mirë: Serbia nuk e ka ndalur lobimin për çnjohje. Ajo e ka vazhduar fushatën e saj kundër Republikës së Kosovës edhe pse një gjë e tillë është e panevojshme, përderisa Qeveria Hoti ka pranuar që vendi të mos aplikojë në organizata ndërkombëtare”, tha ai.

Sipas Ahmetit, që nga 4 shtatori, ditës kur është nëshkruar zotimi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar nga Izraeli që të rishikojë njohjen e Kosovës,

“Vuçiq, publikisht i ka kërkuar Izraelit që të rikonsiderojë vendimin për njohjen e Kosovës, e ka falenderuar Palestinën dhe Angolën për faktin që nuk e kanë njohur Kosovën dhe po e respektojnë “integritetin territorial” të Serbisë, ndërsa ka përdorur hapësirën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombëve të Bashkuara për ta sulmuar pavarësinë e Kosovës e për ta cilësuar atë si shkelje e rezolutës 1244 dhe minim të stabiliteti të Serbisë dhe regjionit. Të gjitha këto bien në kuadër të fushatës dhe qëllim të Serbisë për cenim të subjektiviteti ndërkombëtar të Kosovës. Pra asgjë nuk ka ndryshuar në qasjen e Serbisë”, ka thënë Ahmeti .

Ahmeti ka deklaruar se Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e kanë obligim kushtetues që të angazhohen për shtrirjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

“Kjo nënkupton angazhimin për njohje të reja; anëtarësime në organizata ndërkombëtare; dhe thellim e zgjerim të raporteve bilaterale me shtetet të cilat tashmë na njohin. Kryeministri Hoti tha që në negociata do të shkojë me Kushtetutën e Kosovës në xhep. Pra, pozicioni i tij fillestar, mbi të cilin do të bënte kompromise, ishte Kushtetuta e Kosovës. Dhe ai e shkeli atë, duke u zotuar që nuk do të punojë për shtrirje të subjektivitetit ndërkombëtar të vendit, që është njëra nga pesë kriteret e Konventës së Motevideos për shtetësinë. Me një kryeministër që punon kundër subjektivitetit ndërkombëtar të vendit dhe me një ministre e cila shkatërron Shërbimin Diplomatik nga brenda, vendi ynë do të izolohet ndërkombëtarisht dhe diplomacia e vendit do të reduktohet në aktivitet elektoral”, tha ai.

Ndërkaq, drejtori për komunikim i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bashmir Xhemaj, ka alarmuar se edhe pas 32 muajsh pa njohje, ministria e jashtme është në gjumë të thellë.

Ai në një postim në Facebook ka theksuar se Serbia mbetet e njëjta dhe që, sipas tij, Daçiq është duke vazhduar fushatën për t’i tërhequr njohjet e shtetit të Kosovës.

“Qeveria dhe ministria e jashtme e Kosovës në gjumë dimëror, ende pa nisur dimri. Kosova po hyn në muajin e 32-të dhe ende pa asnjë njohje të re. Fushatës agresive të Serbisë për t’i bllokuar njohjet e Kosovës, i’u bashkua edhe Kosova duke hequr dorë vullnetarisht për një vit nga lobimi për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Por Serbia mbetet e njëjta. Ivica Daçiqi po e vazhdon lobimin e kundër pavarësisë së Kosovës duke takuar përfaqësuesit e shteteve jo-njohëse. I radhës ishte ambasadori i Angolës, që mori falendërimet e Serbisë për mos ndryshim të qëndrimit.Fushata e bllokimit të njohjeve ndaj Kosovës po vazhdon hapur dhe në publik nga Serbia, me gjithë zotimet e dy shteteve për t’i pezulluar fushatat ndaj njëra-tjetrës në Uashington. Teksa Kosova e ka suspenduar politikën e jashtme, Serbia po e bën të kundërtën dhe me intensitet të shtuar”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, më 4 shtator, në Uashington, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizim ekonomik.

Në marrëveshjen që është nënshkruar në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump, mes tjerash, thotë se Kosova dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin dhe se Serbia do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

Leave a Reply