OEK u bën thirrje deputetëve që ta votojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

0
335

Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar që të votohet projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili u miratua dje nga Qeveria Hoti, raporton Gazeta Sinjali.

Votimi i këtij projektligji, sipas kësaj ode, do t’i hapte rrugë implementimit të masave konkrete për rimëkëmbje ekonomike.

“Oda Ekonomike e Kosovës mirëpret miratimin e draftligjit për rimëkëmbjen ekonomike, nga Qeveria e Republikës të Kosovës. I njëjti draftligj duhet të miratohet edhe nga Kuvendi i Republikës të Kosovës, në mënyrë që t’i hapet rruga implementimit të masave konkrete për rimëkëmbjen ekonomike”, thuhet në reagimin e OEK-së.

Përveç këtij projektligji, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga deputetët që të votojnë edhe për miratimin e buxhetit në lexim të dytë dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare.“Komuniteti i biznesit kërkon veprime të shpejta të Parlamentit për miratimin e këtij ligji, miratimit të rishikimit të buxhetit në lexim të dytë, si dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare, për të krijuar kushtet e plota ligjore dhe financiare për implementim të masave për rimëkëmbjen ekonomike.”

OEK vlerëson se rimëkëmbja ekonomike është proces i gjatë dhe kërkon bashkëpunim të gjithë akterëve për të harmonizuar një numër të madh të vendimeve dhe veprimeve, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare me efekt financiar, rritjen e borxhit publik, krijim të mundësive të reja për eksportin e produkteve kosovare, avancimin e bashkëpunimit rajonal, investimet në infrastrukurë, etj.

Kjo odë rekomandon që masat konkrete të rimëkëmbjes ekonomike të jenë efikase dhe të orientuara në përkrahjen e sektorëve më të goditur nga pandemia COVID-19.

“Para se gjithash me prioritet janë masat që garantojnë qasje të favorshme në financa, masat që ndikojnë në rritje të kërkesës agregate dhe masat që ndikojnë në rritje të eksportit”, thuhet në komunikatë.

Leave a Reply