Oda Hoteliere dhe Turistike e Kosovës: Qeveria të na lejojë punën në hapësirat e mbyllura brenda dy ditësh, ose do të ndërmarrim masa

0
316

Oda Hoteliere dhe Turistike e Kosovës ka kërkuar që brenda dy ditëve të ardhshme të merret urgjentisht vendimi për të lejuar hapjen e hapësirave të mbyllura nëpër subjektet hoteliere dhe turistike, përndryshe ata thonë se do të ndërmarrin të gjitha masat demokratike, nëse kërkesa e tyre nuk realizohet.

Kryetari i kësaj ode, Hysen Sogojeva në një prononcim për Telegrafin tha se në mbledhjen e Qeverisë nuk është marrë vendimi për lejimin e funksionimit të hapësirave të mbyllura.

“Edhe pse premtuan Qeveria e Kosovës sot në mbledhjen e radhës nuk mori vendim për rihapjen e hapësirave të mbyllura dhe heqjen e kufizimeve për subjektet hoteliere dhe turistike, prandaj kërkojmë që kjo të realizohet përndryshe do t’i marrim të gjitha masat demokratike. Pra, kërkojmë urgjentisht që kjo të realizohet edhe ma së largu në dy ditët e ardhshme”, tha Sogojeva për Telegrafin.

Javën e kaluar, Sogojeva në një prononcim për Telegrafin tha se në mbledhjen e Qeverisë pritet të merret vendimi për lejimin e funksionimit të hapësirave të mbyllura.

“Sot është mbledhja e Qeverisë dhe sipas informatave që kemi ata sot do të marrin vendim për lejimin e funksionimit të hapësirave të mbyllura. Por si do të jetë funksionimi i tyre nuk e dim, ne ua kemi dhënë manualin Qeverisë, ndoshta nuk do të jetë krejt ashtu siç kemi kërkuar ne por do t’i lejojnë të funksionojnë”, ka thënë Sogojeva.

I pyetur se a do të vlejë ky vendim edhe për sallat e dasmave, Sogojeva tha se për këtë vendimi do të merret pas dhjetë ditësh.

“Jo për sallat e dasmave nuk do të vlejë vendimi që pritet të merret sot. Ndoshta pas dhjetë ditësh do të ketë vendim edhe për këtë çështje”, u shpreh Sogojeva.

E megjithatë, Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendim që këto hapësira të hapen për të punuar. /Telegrafi

Leave a Reply