Një muaj paraburgim për burrin nga Prizreni nën dyshimin se ka rrahur gruan dhe vajzën

0
21

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar 30 ditë paraburgim të pandehurit Y.P për lëndim trupor, gjegjësisht për dhunë fizike ndaj gruas dhe vajzës.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit Y.P., ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më 07 qershor, në Prizren, saktësisht në shtëpinë e përbashkët familjare, i pandehuri si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme që kishte me të dëmtuarat – bashkëshorten e tij dhe vajzën e tij, e të cilat janë viktima të ndjeshme, ashtu që i pandehuri me dashje kryen dhunën ose keqtrajtimi fizik me qëllim të cenimit të dinjitetit të dëmtuarave brenda një marrëdhënie familjare.

“I pandehuri Y.P., fillimisht hyn në dhomën e të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, nga e cila kërkon që të pastron shtëpinë e cila i thotë të pandehurit se ka pastruar, në atë moment i pandehuri të dëmtuarën e godet me grushte mbrapa në pjesën e kokës dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit dhe në atë moment e godet edhe të dëmtuarën – vajzën e tij, duke e kap për flokë dhe më pas e godet me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, si rrjedhojë e kësaj të dëmtuarave i shkakton lëndime trupore”.

Në njoftimin për media thuhet “a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale. Gjyqtari i procedurës, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, pasi që çështja penale është në fazën fillestare, dhe për sqarimin e rastit duhet të merren edhe veprime tjera si; të dëgjohen të dëmtuarat, duhet të merret ekspertiza përkatëse lidhur me lëndimet, dhe veprimet tjera me qëllim të zbardhjes së rastit”.

Në njoftim po ashtu thuhet se ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, duke marrë parasysh se i pandehuri ka ushtruar dhunë brenda familjes së tij ndaj viktimave të ndjeshme, këto tregojnë rrezikun se me lënien në liri të të pandehurit i njëjti mund të përsërisë veprën penale.

Nga të lartë cekurat, Gjykata ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura është më i domosdoshëm dhe i shërben efikasitetit të procedurës penale.

Leave a Reply