Nisma në Prizren: Kush e kurdisi tenderin 1.4 milion euro me dokumente të falsifikuara?

0
439

Nisma Socialdemokrate dega në Prizren, përmes një komunikate për media ka kritikuar ashpër qeverisjen komunale në Prizren duke thënë se pa e dëgjuar shefen e tenderave dhe sekserin e tyre asnjë tender në komunën e Prizrenit nuk mund të fitohet, duke aluduar në tenderin me vlerë 1.4 milion euro.

Komunikata e plotë:

Të gjithë qytetarët e komunës së Prizrenit kanë dëgjuar për shefen e tenderave dhe sekserin e tyre dhe ku dihet se pa lejen e dyshes asnjë tender në komunën e Prizrenit nuk mund të fitohet.
Por i kujtojmë kryetarit të komunës së qytetarët e Prizrenit nuk e hanë më sapunin për djathë. Tenderi me vlerë 1.4 milion euro nuk mund të trajtohet nga zyra e prokurimit sikur të ishte një faturë e thjeshtë cigareje. Kjo nuk mund të shitet më Mytaher Haskuka, pasi më e pakta që duhet të kishte bërë Zyra e Prokurimit është të verifikonte vërtetësinë e dokumenteve të biznesit që është shpallur fitues.

Zotëri Haskuka, ne e dimë se shefi i Zyrës së Prokurimit në komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj është i kapur dhe i shantazhuar nga sheja dhe sekseri, prandaj të gjitha tenderat që hapen nga zyra e Prokurimit në Prizren duhet të marrin më përpara “aminin” e tyre. Nuk ke nevojë që të kacavjerresh me prononcime si ai i mbrëmshmi, duke luajtur herë të painformuarin rreth tenderit të kurdisur me dokumente të falsifikuar nga dyshja që dirigjohen nga ti, dhe herë duke u munduar të mbrosh zyrën e prokurimit.

Ti zotëri Haskuka, jo vetëm që ke pasur informacione për lajmin e publikuar dje nga rrjeti i OJQ-ve AVONET, por ju sipas përgjegjësive ligjore keni dhënë dritën e gjelbërt që ky tender t’i jepet më çdo kusht kompanisë e cila dhe e ka fituar tenderin me dokumente të falsifikuara.
Të gjithë tenderat gjatë mandatit tënd në këtë formë janë dhënë. Prandaj ftojmë organet e drejtësisë që të hetojnë me urgjencë procedurat e hapjes së këtij tenderi dhe të gjithë tenderave të tjerë, dhe të zbulohet lidhja e sekserëve të Mytës me Zyrën e Prokurimit në Prizren, thuhet në fund të kësaj komunikate nga Nisma Socialdemokrate dega në Prizren.

Leave a Reply