NISMA i hakmerret AAK-së: Shkarkohet djali i axhës së Anita Muçaj-Haradinajt

0
581

Ka nisur hakmarrja e NISMA’s Socialdemokrate ndaj Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

Sot ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi siç raportojnë mediat ka larguar nga shërbimi civil drejtorin e Departamentit të Rezervave Shtetërore në ministri, Arton Muçajn, djali i axhës së bashkëshorteve të Ramush e Daut Haradinajt. Muçaj përvec familjar është edhe aktivist i AAK-së dhe njeri i afërt i Ramush Haradinaj.

Kjo masë ndëshkimore vjen për shkak se ai ka lidhur kontrata jashtëligjshëm pa pëlqimin e ministrit, nuk i ka përmbushur detyrat e tij duke bërë shkelje të rënda të detyrave të punës.

Ai gjithashtu thuhet se ka nënshkruar kontrata për deponi, si dhe nuk ka raportuar te sekretari i Ministrisë rreth lidhjes së kontratave, duke mos e respektuar hierarkinë institucionale.

Pas largimit ka reaguar edhe vet Muçaj. Ai nëpërmjet një shkrimi në Facebook ka thënë se NISMA është për keqardhje. Sipas tij kjo parti ka futur në institucione njerëz që se kanë idenë se çfarë thotë ligji dhe si punohet.

“Ligji për Rezerva Shtetërore te Mallrave 03/L-244 neni 18 thotë detyrat e drejtorit te departamentit përveç tjerash pika 2 thotë: Për artikujt e rezervave shtetërore të mallrave, që kërkojnë kushte të veçanta mirëmbajtjeje, në bazë të ligjit për prokurim publik drejtori i Departamentit mund të kontraktojë për depozitimin e tyre me agjent ekonomik apo subjekt tjetër juridik, të cilët plotësojnë kushtet teknike, të nevojshme dhe të domosdoshme, për të siguruar pandryshueshmërinë e gjendjes cilësore dhe vëllimore të mallrave rezervë.(pa ndikime financiare). Nisma Social Demokrate është për keqardhje kur fut njerëz në institucione publike që se kanë haberin as çka thotë ligji, as si punohet në Institucione shtetërore. Për sojin e tyre edhe rezervat shtetërore të mallrave (që ju dedikohen qytetarëve) duhet të jenë fitimprurëses për xhepat e tyre. Mjerim”, ka shkruar ai.

Muçaj ka paralajmëruar se gjatë ditëve të ardhshme do të bëjë publike disa kontrata të dëmshme të sekretarit të MTI-së.

“Ditëve në vijim do të bëhen publike kontratat e dëmshme nga Sekretari i MTI-se pikërisht të kontraktuara nga ai jashtëligjshëm, sepse ky ligj nuk e parasheh askund që sekretari e ka atë të drejtë”, ka shtuar ai.

Kujtojmë që NISMA dhe AAK-ja i kanë ftohur marrëdhëniet pasi deputeti Haxhi Shala e braktisi partinë e Fatmir Limajt për atë të Ramush Haradinajt.

Por Shala nuk iku i vetëm nga partia. Disa ditë me radhë pas daljes së tij, NISMA’n e braktisën edhe shumë aktivist, kryetar nëndegësh e forumesh të kësaj partie.
NISMA dhe AAK aktualisht janë pjesë e qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Leave a Reply