Mjeku Halil Cikaj nderohet me titullin e heroit, “Haxhi Hoti”

0
354

Mjeku Halil Cikaj është nderuar me titullin e heroit kombëtar, “Haxhi Hoti”, për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë gjatë luftës, në kuadër të UÇK-së.

Titulli i është dhënë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Has.

Cikaj ka qenë pjesëtar i UÇK-së në Brigadën 126- “Hasi’.

Aktualisht është specialist i ORL-së në Spitalin e Prizrenit.

“Dr. Halil Cikaj gjatë luftës çlirimtare të Kosovës kreu më përgjegjësi të lartë kombëtare detyrën e ushtarit besnik si mjek i UÇK-së”, vlerëson OVL e UÇK-së në Has.

Sipas kësaj organizate, dr. Halil Cikaj ishte i vetmi mjek në Has, i cili shëroi shumë luftëtarë të UÇK-së.

Ai ka qenë bashkëluftëtar i dy dëshmorëve të kombit, Asllan Berisha dhe Zenun Çoçaj.

Ndërkaq, Cikaj ka falënderuar OVL-në në Has për këtë mirënjohje.

“Do mundohem sadopak ta nderoj figurën e heroit, Haxhi Hoti”.

“Kur e kujton të kaluarën e lavdishme të UÇK-së, trupi të dridhet”, shprehet ai.

Gjatë luftës, ka qenë pjesëtar i UÇK-së.

Ai në këtë periudhë ka shëruar qindra civil dhe ushtarë të UÇK-së në Has.

Cikaj kujton momentin me të rëndë të luftës.

“Momenti më i rëndë ka qenë “larja” e duarve me gjakun e dëshmorëve”.

Cikaj kujton rënien dëshmorit, Zenun Çoçaj.

“Na ndanin minutat kur ra Zenuni në altarin e lirisë. Ai e fitoi lavdinë, kurse unë humba shumë nga ajo krenari që fituam së bashku”.

Ai thotë se rënia e shokëve të luftës, kanë qenë momentet më të vështira në luftë.

“Rënia e shokëve, por edhe mungesa e ilaçeve, kanë qenë momentet më të vështira të jetës sime në luftë”, tregon Cikaj.

Dr. Cikaj, si mjek ka qenë i angazhuar edhe në “Nënë Terezë” .

“Këtu kam punuar dy vjet”, tregon ai.

Karriera e dr. Halil Cikajt si mjek ka filluar në kohën e helmimeve të të rinjve shqiptarë.

“Helmimet e të rinjve shqiptarë të gjithë studentëve na kanë gjetur në orët e fundit në lokalet e Fakultetit. U mobilizuam nën udhëzimet e prof. Sali Ahmetit. Filluan të vinin të rinj të helmuar nga e gjithë Kosova. Të gjithë studentët dhe personeli mjekësor i Universitetit ishte në këmbë”, kujton ai.

Dr. Halil Cikaj u lind 1963 në fshatin Gjonaj të Hasit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Prizren. Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.

Ai ka qenë nxënës dhe student i dalluar.

Si student Cikaj, ishte angazhuar edhe në pajtimin e gjaqeve bashkë me Anton Çettën/PrizrenPress.com/

Leave a Reply