Ministria e Bujqësisë ndan 3.1 milionë euro për dëmet e shiut

0
54

3.1 milionë euro ka ndarë Qeveria e Kosovës për dëmet që u janë shkaktuar fermerëve dhe banorëve nga reshjet e fundit në Kosovë.

Por ministri i Bujqësisë, Besjan Mustafa, gjatë një vizite në Komunën e Vushtrrisë, ka thënë se Ekzekutivi nuk ka mundësi financiare t’i mbulojë të gjitha dëmet.

“Do të shohim nëse këto mjete do të mjaftojnë që të mbulojmë pjesërisht, pasi që fatkeqësisht nuk kemi fuqi financiare që t’i mbulojmë të gjitha këto dëme, mirëpo pjesërisht do të mbulojmë aq sa kemi fuqi financiare duke iu dalë përkrah bujqve Kosovarë, në këtë rast bujqve vushtrrias, për të bërë kompensimin e pjesshëm të këtyre dëmeve”, ka thënë Besjan Mustafa, ministër i Bujqësisë.

Kreu i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka bërë të ditur se afër 1 milion euro është dëmi që u ka shkaktuar fermerëve dhe banorëve të komunës pas reshjeve të shiut.

“Vlera e totale e dëmit të shkaktuar nga kjo fatkeqësi elementare që kishim më datat 17 dhe 18 gusht në Pestovë, Dumnicë, Stanovc i Epërm e Lumadh përfshin shumën prej 900 mijë eurove. Mbi 200 mijë euro janë dëmet në bujqësi dhe kulturat bujqësore, mbi 200 mijë euro janë dëmet në biznes dhe mbi 300 mijë euro janë dëmet në ekonomitë familjare, përkatësisht në shtëpitë e vërshuara gjatë kësaj periudhe. Dhe komisioni komunal deri të premten do të pranojë edhe kërkesat të fermerëve të tjerë, apo të ekonomive familjare që akoma nuk janë vizituar”, është shprehur Xhafer Tahiri, kryetar i Komunës së Vushtrrisë.

Ndërsa pronarët e bizneseve kanë kërkuar siguri për kulturat bujqësore.

“Ministër po ju drejtohem juve urgjentisht t’i jepet mundësia në kompani të sigurimeve për kulturat bujqësore, sepse për sigurimin e objekteve kemi 100 oferta, ndërsa për kultura bujqësore jo”, ka thënë Bedri Kosumi nga kompania Vipa QIPS.

E fermeri Fatmir Latifi ka ide se si mund të zgjidhet ky problem.

“Ma mirë është me e zgjeru lumin sesa me m’i dhanë 5 mije euro mua ose X personit, po me e heq këtë problem që e kemi, sepse ky problem çdo 5 vjet na ndodh prapë. Ku ka pas ka dëmtu, ku s’ka pas dëmtu, mirëpo të gjithë jemi të lodhur prej këtij problemi të vërshimeve”, ka pohuar Latifi.

Reshjet e mëdha të shiut që ndodhën gjatë muajit gusht shkaktuan dëme të mëdha në Vushtrri dhe disa fshatra të kësaj komune, ku u dëmtuan kulturat bujqësore.

Leave a Reply