Mijëra vaksina shpërndahen nga ajri kundër tërbimit të kafshëve

0
395
Foto: Ilustrim

Ka nisur faza e re e shpërndarjes nga ajri të vaksinave kundër tërbimit të kafshëve.

Për pesë ditë radhazi, këto vaksina do të shpërndahen me aeroplanë në tërë territorin e Kosovës.

Kjo është faza e tetë e fushatës së vaksinimit kundër tërbimit, si pjesë e iniciativës rajonale të kontrollit të kësaj sëmundjeje në tërë Ballkanin Perëndimor.

Për të arritur një imunizim të plotë të dhelprave nga tërbimi, ekspertët vlerësojnë se është e nevojshme që vaksinime të tilla të bëhen për disa vite rresht.

Agjencia i Ushqimit dhe Veterinës si përfituese e këtij projekti është drejtpërdrejtë përgjegjëse për monitorimin e zbatimit dhe vlerësimin e ndikimit në uljen e rrezikut të sëmundjes së tërbimit te kafshët.

Pjesë e kësaj fushate të vaksinimit janë disa aeroplanë, që përmes makinerive speciale dhe hartave të sakta do të shpërndajnë edhe mijëra vaksina karrem brenda kësaj periudhe 5 ditore.

Vaksinimi kundër tërbimit po bëhet tek dhelprat, pasi këto kafshë janë burimi kryesor i kësaj sëmundjeje me pasoja fatale që transmetohet edhe te qentë dhe te njeriu.

E mbështetur nga Bashkimi Evropian, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës është duke zbatuar një procedurë moderne, që garanton vaksinimin e sigurt te dhelprat, kurse i tërë procesi i shpërndarjes se vaksinës po kryhet nga ajri dhe në mënyrë të kontrolluar.

Përmes kësaj fushate vetëdijesimi, e cila ka filluar para disa ditëve në mediat publike dhe private, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka njoftuar për datat e sakta të fushatës dhe procesin në terren.

Ky institucion ka apeluar vazhdimisht që gjatë kësaj periudhe apo më vonë, nëse banorët e zonave rurale gjejnë vaksina afër vendbanimeve, të mos i prekin ato, të mos i hapin apo të mos ua japin kafshëve të tyre, pasi mund të rrezikojnë shëndetin e tyre.

Implementimin e këtij projekti po e bën konsorciumi kosovaro-çek, MONUNI dhe Bioveta.

Leave a Reply