Mbyllen të gjitha shkollat në Shqipëri

0
240
Foto: Ilustrim

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka njoftuar se duke filluar nga dita e hënë, 24 janar deri të mërkurën 26 janar, shkollat në vend do të qëndrojnë të mbyllura për shkak të temperaturave të ulëta që priten në vend.

Ministrja bën me dije se nëse temperaturat nuk do të jenë aq të ulëta sa janë parashikuar, do të ketë një rishikim të vendimit dhe një njoftim të dytë.

Njoftimi:

Të dashur nxënës, mësues dhe prindër!

Dua t’ju njoftoj se sot në MAS kemi marrë një vendim të rëndësishëm që lidhet me procesin mësimor të shkollave tona në fillim të javës së ardhshme.

Sipas parashikimeve meteorologjike, në ditët në vijim priten temperatura tepër të ulëta, të cilat janë temperatura të jashtëzakonshme për një vend si i yni. Madje në disa zona do të arrijë deri në – 17 gradë celsius.

Për këtë arsye, duke qenë se prioriteti ynë absolut në çdo kohë është shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve tanë, kemi vendosur që shkollat të mbyllen javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën, dhe orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore.

Natyrisht nëse parashikimet nuk do të dalin të sakta, dhe temperaturat do të jenë më të pranueshme, ne do ta rishikojmë këtë vendim dhe do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me ju, sepse për ne edhe procesi mësimor ka rendësi prioritare.

Të dashur prindër!

Ju lutem merrni masa për ju dhe fëmijët tuaj, në mënyrë që t’i kapërcejmë sa më lehtë këto ditë të vështira të dimrit.

Shumë faleminderit për mirëkuptimin tuaj!

Leave a Reply