Mbahet shqyrtimi kryesor ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren, i akuzuar për korrupsion

0
71

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur shqyrtimi kryesor ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren Nijazi Kryeziu, i akuzuar për korrupsion.

Në këtë seancë mungoi përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, për të cilin fakt mbrojtësi i të akuzuarit avokati Arben Shala, kërkoi shtyrjen e seancës, mirëpo prokurori Mehdi Sefa propozoi që seanca të mbahet, sepse Komuna e Prizrenit nuk ka ndonjë përfaqësues të autorizuar që ta përfaqësoi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Trupi gjykues mori vendim që seanca të mbahet dhe shqyrtimi kryesor filloi me leximin e  aktakuzës nga prokurori Sefa.

Pas leximit të aktakuzës, i akuzuari Kryeziu përsëri deklaroi se nuk është fajtor për veprën penale e cila i ngarkohet në bazë të aktakuzës.

Në fjalën hyrëse prokurori deklaroi se mbetet pranë aktakuzës e cila është ngritur duke u bazuar në provat e propozuara.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Arben Shala, deklaroi se aktakuza është e ngritur pa asnjë bazë ligjore dhe se klienti tij kur ka ndërmarrë veprimet ka vepruar në bazë të legjislacionit në fuqi.

Kurse i akuzuari Kryeziu, deklaroi se është obligim ligjor i Urbanizmit që të organizojë fushata sensibilisuese në të gjitha gjuhët zyrtare dhe ato në përdorim në Komunën e Prizrenit.

Pas dhënies së fjalëve hyrëse, u paraqit ekspertiza financiare e përpiluar nga eksperti Agim Sheqiri.

Në fillim eksperti Sheqiri deklaroi se ekspertiza është bërë duke u bazuar në kartelat e furnitorëve, në urdhër obligimin për pagesë, urdhër blerjen, kontratën dhe faturën dhe se të gjitha këto dokumente janë siguruar nga Prokuroria e Shtetit.

Tutje eksperti deklaroi se kontrata e lidhur me televizionin Opinion, është nënshkruar  nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, e jo nga zyrtarët e prokurimit, si të vetmit kompetent për të nënshkruar në emër të autoritetit kontraktues.

Sipas ekspertit për çdo shpenzim publik mbi 100 euro duhet ndjekur procedura e paraparë me Ligjin e Prokurimit Publik dhe në këtë rast është dashur të zhvillohet procedurë e hapur ku bëhet ftesë publike operatorëve ekonomik dhe të përzgjidhet operatori në bazë të kritereve të përzgjedhjes, sepse shuma e pagesës në këtë rast ka qenë 1 mijë e 200 euro.

Pas këtyre deklarimeve të ekspertit Sheqiri, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi konstatoi pauzën e rregullt, ndërsa për shkak të obligimeve në një seancë tjetër penale të njërit nga anëtarët e trupit gjykues, seanca u ndërpre dhe ë njëjta u caktua të vazhdoi me 11 nëntor 2020 në ora 09:00.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 14 tetor të këtij viti, Kryeziu ishte deklaruar i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 2 gusht 2019, i pandehuri Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kryeziu, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapsinor të Komunës  Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Kryeziu, gjatë periudhës kohore 01 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 600 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 7200 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së.

Ndryshe, Kryeziu është i akuzuar edhe në rastin e njohur “Pronto”, së bashku me ish-shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputetin e PDK-së, Zenun Pajaziti, e të tjerë.

Kurse, muaj më parë, Kryeziu ishte shkarkuar edhe nga posti i tij si këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli, pas vendimit të këtij të fundit për shkarkimin e zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që kanë aktakuza. /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply