Ky është programi i plotë i Qeverisë Kurti

0
545

Qeveria e Kosovës të premten ka miratuar programin qeverisës 2021-2025. Sipas këtij programi parimet dhe objektivat kryesore të Qeverisë së Kosovës mbeten pandemia COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë.Krahas këtyre objektivave, Qeveria ka prioritet edhe forcimin e shtetit, avancimin e demokracisë, luftimin e dukurive negative, veçmas krimit dhe korrupsionit;

zhvillimin ekonomik bazuar në ekonominë e tregut, rritjen e punësimit dhe investimeve, për t’u përballur me pasojat e pandemisë dhe nevojën për fuqizim të aftësisë konkurruese të bizneseve dhe prodhimeve vendore; marrjen e përgjegjësisë për të çuar përpara dialogun me Serbinë, në bashkëpunim me BE dhe SHBA, duke mos lejuar ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territorit; avancimin e procesit të integrimit evropian, përmes zbatimit të MSA-së, si dhe procesit të integrimeve euroatlantike; zbatimin e plotë të Agjendës së Reformave Evropiane;
krijimin e klimës së bashkëpunimit pozitë-opozitë për çështjet vitale në interes të vendit dhe vendimmarrje në konsultim të gjerë dhe gjithëpërfshirës, sidomos në procesin e dialogut me Serbinë.Po ashtu Qeveria përmend edhe forcimin e partneriteti strategjik me BE-në dhe SHBA-të, në në vitalitetin e Kosovës si shtet i pavarur, duke zbatuar politika që e rrisin cilësinë e jetës, që respektojë të drejtat e secilit dhe ofrojnë mundësi të barabarta në arsim, shëndetësi, në jetën sociale dhe në shërbimet publike në përgjithësi.

“Do të promovohet përcaktimi strategjik i Republikës së Kosovës për forcimin e stabilitet në rajon, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet në rajon. Integrimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO do të jetë qëllim nga i cili burojnë angazhimet institucionale për përparimin e demokracisë, ekonomisë dhe shtetit të së drejtës”, thuhet mes tjerash në programin qeverisës, shkruan Telegrafi.

Sa i përket menaxhimit të pandemisë nga COVID-19, Qeveria Kurti ka paraparë zhvillimin e masave për dalje graduale nga izolimi shoqëror, të cilat do të vihen në zbatim pas një periudhe të arsyeshme kohore të rënies së numrit të infektimeve të reja.Lidhur me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar Qeveria në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore do të mbështesë, në të gjitha format, institucionet kompetente kundër kësaj dukurie negative.

“Qeveria do të përmirësojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rajonal në luftën kundër krimit të organizuar. Për arritjen e këtyre objektivave, do të fuqizohen mekanizmat institucionalë në përputhje me standardet ndërkombëtare sa i përket kodeve të sjelljes të institucioneve përkatëse”, thuhet në programin e Qeverisë Kurti.
Qeveria Kurti gjithashtu ka paraparë të intensifikojë presionin për zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.“Qeveria e Kosovës do të trajtojë me prioritet viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke siguruar mbrojtjen institucionale të kësaj kategorie nga stigmatizimi shoqëror”, thuhet në programin qeverisës.

Pikë tjetër që ka paraparë të zhvilloj Qeveria e Kosovës është edhe avancimi dhe forcimi i institucioneve të drejtësisë, shkruan Telegrafi.Qeveria ka theksuar se do të punohet për zbatimin e vettingut institucional, në përputhje me standardet evropiane dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë nga BE dhe SHBA.Sa i përket politikës së jashtme, Qeveria Kurti ka thënë se kjo do të jetë reflektim i politikës së brendshme dhe në funksion të ndërtimit, ruajtjes dhe thellimit të marrëdhënieve me partnerët strategjikë dhe me shtetet tjera, ruajtjen e sovranitetit, integritetit territorial, rendit kushtetues, lirive dhe të drejtave të qytetarëve të Kosovës brenda dhe jashtë vendit dhe garantimit të sigurisë së saj shtetërore.

Leave a Reply