“Kush ta tha këtë?”, Vuçiq flet për një bisedë të tij me Putinin rreth NATO-s

0
247

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një intervistë për kanalin rus Soloviev në YouTube, ka përcjellë një detaj nga një prej takimeve të tij të mëparshme me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në të cilin tha se është diskutuar për NATO-n, transmeton Gazeta Express.

Vuçiq tha se ky ishte takimi i tyre i nëntë dhe se Putini kishte marrë informacione të ndryshme për qëndrimin e Serbisë.

“Ai më tha, ‘Në rregull, Aleksandar, ti mund të anëtarësohesh në NATO, por popujt tanë do të mbeten miq’. Dhe kështu e dëgjova për 35 minuta, dhe më pas e pyeta: Kush ta tha këtë dhe unë do të përgjigjem”, tha Vuçiq.

Siç thotë Vuçiqi, më pas i kishte thënë Putinit se Serbia është një vend ushtarak neutral dhe se ajo nuk do të anëtarësohet në NATO.

“Nuk po jua them këtë vetëm për sot. Unë po flas për të ardhmen. Ky është përkushtimi afatgjatë i Serbisë. Nuk e kuptoj se si mund t’ju ketë thënë dikush që po anëtarësohemi në NATO”, tha Vuçiq, duke folur për bisedën që e kishte pasur me Putinin.

Ai tha se e ka siguruar Putinin se Serbia nuk do të vendosë asnjë sanksion kundër Rusisë.

“Ju garantoj dhe jua jap fjalën. Ky është interesi jo vetëm i Rusisë por edhe i Serbisë dhe që nga ai moment nuk kemi pasur bisedime të vështira”, tha Vuçiq.

Takimi i ri mes presidentit serb dhe atij rus është paralajmëruar për 25 nëntor.

Leave a Reply