Kurti takon ambasadorin turk, Zyra e Kryeministrit s’tregon nëse folën për Ambasadën në Jerusalem

0
295

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar me të cilin kanë biseduar për eleminimin e barrierave ekonomike por s’është treguar nëse është vënë në diskutim çështja e ambasadës në Jerusalem, njofton ZKM, raporton Gazeta Express.

Ambasadori turk e ka uruar Kurtin për detyrën dhe ka  shprehur vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit.

“Ambasadori Sakar e ka uruar kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës dhe ka ritheksuar vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe kultivimin e mëtejmë të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve. Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin për urimet dhe për përkrahjen e  vazhdueshme të Turqisë përgjatë të gjitha fazave të shtetndërtimit nëpër të cilat ka kaluar Kosova.  Në takim u bisedua edhe për mundësinë e eliminimit të disa barrierave ekonomike që do të lehtësonin investimet dhe shkëmbimet”, thuhet në njoftim.

Në takimin që kanë pasur Kurti dhe Sakar me datë 1 mars në zyrat e VV-së, Kurti në postin e kryetarit të partisë i kishte thënë diplomatit turk se do ta shqyrtojnë çështjen e vendosjes së ambasadës në Jerusalem.

“Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, Kurti tha se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe mundësi e mirë për zhvillim, ndërsa rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”, thuhej në njoftimin e VV-së

Leave a Reply