Kumnova:Deklarata e Daçiqit duhet të jetë leksioni i fundit për ndërkombët

0
404

Kryetarja e shoqatës “Thirrjet e nënave”, Nysrete Kumnova, përmes një konference për media ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiqit, i cili kërcënoi serbët që po tregojnë për krimet serbe ndaj shqiptarëve.

Në ditëlindjen e djalit të saj të vetëm, për të cilën nuk di asgjë, para objektit të përfaqësuesve të popullit, mes lotëve po kërkon drejtësi për zbardhjen e fatit të Albionit.

Ajo thotë se për më shumë se dy dekada po u mungojnë më të dashurit në sofrat e tyre dhe se institucionet e vendit nuk po bëjnë mjaftueshëm në këtë aspekt. Sipas saj, zëri i institucioneve të Kosovës nuk po dëgjohet, meqë të njëjtit po lëshojnë pe përballë Serbisë.

Janë bërë më shumë se 20 vjet nga përfundimi i luftës, dhe shumë kosovarë mbetën ende të varrosur nëpër varreza masive. Familjarë të tyre, për këto dy dekada po kërkojnë zbardhjen e fatit të secilit të pagjetur.

Kumnova thotë se janë mbushur me premtime boshe të qeverive të ndryshme ndër vite. Madje, sipas saj zëri i tyre nuk po dëgjohet mjaftueshëm, meqë nuk po merren seriozisht edhe nga Serbia.

“Kanë bërë të mjaftueshmen. Edhe atë të mjaftueshëm vetëm ne familjarët kur kemi ardh këtu të bëjmë homazhe, të vendosim kurora, posa e kemi larguar kthyer shpinën, na kanë harruar. Dhe kjo është që sillen edhe Serbia, sillet keq ndaj familjarëve tanë dhe pushtetarëve tanë, sepse lëshojnë pe. Kështu që nuk kanë bërë kurgjo hiç. Asgjë hiç”, thekson ajo.

Ajo të martën para Kuvendit të Kosovës ka kërkuar drejtësi, duke shtuar se deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, lidhur me varrezat masive të shqiptarëve në Serbi, duhet të jetë leksioni i fundit për pushtetarët dhe instancat ndërkombëtare.

“Kam ardhur që të kërkojë drejtësi. Deklarata publike e Daçiqit, duke i kërcënuar serbet të cilët po i tregojnë krimet serbe kundër shqiptarëve dhe vendet ku ndodhën varrezat masive, në fakt ku janë varrosur shqiptarët nga ushtria serbe, duhet të jetë edhe leksioni i fundit për pushtetarët tanë dhe të gjitha instancave ndërkombëtare”, tha ajo.

Ajo i ka bërë thirrje përfaqësuesve të vendit që sa më parë të kushtëzojnë bisedimet me Serbinë në Bruksel dhe të vendosin në radhë të parë çështjen e personave të pagjetur, zbardhjen e tyre dhe kthimin e eshtrave në Kosovë. Derisa ka kërkuar me ngulm që në delegacionin e bisedimeve të jetë njëra nga nënat, tha se kriminelët dihen me emër e mbiemër.

Nesrete Kumnova, e cila për këto 20 vjet po kërkon drejtësi edhe djalin e saj Albionin, thotë se është prekur shumë edhe me deklaratën e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, që siç tregon ajo ditë më parë kishte thënë se kjo temë është e konsumuar.

“Edhe konventat ndërkombëtare garantojnë të drejtat e njeriut dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve, ndaj silluni me përgjegjësi dhe veproni me përgjegjësi, pa frikë dhe jo sikur zëvendëskryeministri Selmanaj, i cili para disa ditësh para mediave deklaron se tema rreth të të pagjeturve, është e konsumuar. E dhimbshme. Është papërgjegjësi dhe turp sjellja e një udhëheqësi të lartë. Prandaj kërkoj nga shtetarët Kosovës të mos bëjnë politika të gabuara kur janë në pyetje më të dashurit tanë. Për Driton Selmanaj kjo temë është e konsumuar, për mua jo sepse unë kam të drejtë te kërkojë birin tem, Albionin dhe të gjithë bijtë e bijat e Kosovës të cilat ende rezultojnë të pagjetur”, ka deklaruar Kumnova.

Derisa është lutur që sa më parë të veprohet, ajo mes lotëve ka treguar që sot është edhe ditëlindja e djalit të saj të vetëm, Albionit.

“Sot është vonë, nesër do të jetë edhe më vonë, prandaj veproni, ju lutem në emër të të gjitha nënave dhe familjarëve të të pagjeturve. Sot për mua është ditë e veçantë, sepse sot është edhe ditëlindja e birit tim të vetëm, Albionit. Më tregoni ju lutem, ku t’i vendos lulet për ditëlindjen e tij”, u shpreh ajo mes-lotëve.

Shton se nuk po dihet qëllimi i institucioneve, dhe pse nuk po e marrin guximin që në secilën derë ku trokasin të përfaqësojnë të zhdukurit, ballë-hapur.

“Po më duket që edhe qëllimi i institucioneve tona mbahet sekret, mbahet fshehtë. Nuk e dimë as ne arsyen pse këta nuk e marrin guximin që në secilën derë ku trokasin duhen me qenë ball-qelë, sepse ata kanë shkuar për shtetin e Kosovës, për vendlindjen e vet. Nuk kanë bërë ndonjë marri por ata mbahen, është gjynah ata mbahen në varreza masive, pa të drejtë, sepse zëri i institucioneve është i ulët”, shton ajo.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq në një intervistë deklaroi se nuk ka çka t’u bëjë serbëve që po i tregojnë ku janë të varrosur shqiptarët gjatë luftës.

Edhe pas 21 vjetëve pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, mbi 1600 persona konsiderohen të pagjetur.

Leave a Reply