Kosova nuk ka nevojë për protesta por për rimëkëmbje ekonomike dhe demokratike

0
487

Para bërjes publike të vendimit të Gjykates Kushtetuese për dekretin e Presidentit Thaçi për mandatarin e propozuar, z. Hoti, janë shtuar presionet ndaj Gjykates Kushtetuese duke e paragjykuar vendimin e që KMDLNj e konsideron si presion të drejtëpërdrejtë dhe ndërhyrje në punën e kësaj Gjykate. Në këtë kontekst dallohen Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Kurti që nuk e lëshojnë asnjë rast që, duke e sulmuar njëri – tjetrin, si pretekst, në fakt i bëjnë presion të palejueshëm Gjykates Kushtetuese e që për këtë ka reaguar edhe kjo Gjykatë. Edhe analistë dhe politikanë të ndryshëm përmes paraqitjeve publike , në jo pak raste e bëjnë të njëjtën përpjekje ndonëse me një njohuri shumë simbolike për këtë çështje. KMDLNj ka reaguar edhe më parë me një kërkesë eksplicite që të mos paragjykohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese  dhe se çdo vendim duhet të pranohet, pa asnjë kundërshtim në të kundërten do të jenë përgjegjës për përshkallëzim të mundshëm të situatës dhe pasojat eventuale. Vendimi i Gjykates Kushtetuese është detyrim dhe i pakundërshtueshëm Është papërgjegjësi të deklarosh publikisht se nuk do të pranohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese nëse ai nuk qenka i drejtë për faktin se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të jetë përmbushje e dëshirave personale apo partiake. Se a është i drejtë apo jo vendimi e përcakton Gjykata dhe jo palët e interesit.  Do të ketë të pakënaqur por se kjo nuk mund të jetë arsye për mospranim të vendimit apo thirrje për rezistencë ndaj këtij vendimi. Askush nuk ka të drejtë ta mësojë Gjykaten Kushtetuese se si duhet ta bëjë punën por duhet ta respektojnë pa asnjë kundërshtim çdo vendim të Gjykates Kushtetuese,  të gjitha palët dhe të gjitha institucionet, pa asnjë dallim. KMDLNj ua përkujton se humbësi më i madh do të jetë ai që nuk do e respektojë vendimin e Gjykates Kushtetuese,  si ne planin e brendshëm ashtu edhe në ate të jashtëm. Askush, as brenda e sidomos në bashkëpunimin ndërkombëtar nuk do të gjej partnerë si mosrespektues i vendimit të Gjykates. Në këtë kontekst KMDLNj konsideron se është krejtësisht e panevojshme organizimi i çfarëdo proteste apo “ushtrimi për protestë” në këtë kohë sepse mund të interpretohet dhe është presion flagrant mbi Gjykaten Kushtetuese e që aspak nuk i sjellë dobi politike atyre që janë pas këtyre veprimeve. KMDLNj kërkon përmbajtje nga çdo veprim kërcënues dhe shantazhues ndaj Gjykates Kushtetuese,  si në aspektin verbal ashtu edhe gjatë veprimeve konkrete të paralajmëruara. Më e mirë dhe më e dobishme është çdo marrëveshje politike për tejkalim të situatës, qoftë përmes formimit të Qeverisë së re, qoftë përmes një marrëveshjeje politike për zgjedhje të reja, nëse arrihet pajtueshmëria. Mirëpo, ta presim fillimisht vendimin e Gjykates Kushtetuese dhe të sillemi në përputhje të plotë me atë vendim. Çdo sjellje  vendim apo veprim kundër vendimit të Gjykates Kushtetuese çonë drejt kaosit dhe pasojave të mëdha për Kosovën dhe qytetarët e saj. KMDLNj pret maturi dhe sjellje të dinjitetshme të të gjithëve, pavarësisht vendimit të Gjykates Kushtetuese .

Pasi Policia e Kosovës ka dhënë leje VV të organizojë ushtrim – protestë ku parashihet të marrin pjesë 3500-5000 pjesëmarrës e që organizatori i ka shënuar pozicionet e vendosjes me ngjyrë të kuqe, po këta, pas përfundimit të ushtrimit – protestes duhet të largojnë këto shenja dhe ta kthejnë në gjendje të mëparshme. Nëse në kohën kur ende jemi nën regjim të pandemisë lejohen tubime ku marrin pjesë me mijra persona atëherë nuk ka asnjë kuptim të kufizohen aktivitetet si organizimi i  dasmave dhe manifestimeve tjera. KMDLNj ka kundërshtuar dhe do të kundërshtojë çdo përpjekje për zbatim të standardeve të dyfishta , si shkelje flagrante e të drejtave të njeriut e që ka raste edhe në Kosovë.

Leave a Reply