Konjufca: Serbia kreu gjenocid në Kosovë, duhet paditur

0
343

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me Presidenten Vjosa Osmani, në 22 vjetorin e masakrave serbe në Çikatovë të Vjetër dhe Poklek të Drenasit, bënë homazhe dhe vendosën lule në memorialet kushtuar  dëshmorëve dhe martirëve të këtyre dy lokaliteteve. 

Kryekuvendari Konjufca vlerësoi se masakra e Çikatovës së Vjetër është njëra prej akteve më barbare të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. 

“Sa herë vijmë këtu e kuptojmë edhe më mirë çmimin e lartë që kemi paguar për lirinë e popullit tonë”, tha Konjufca. 

Ndërsa masakra e Poklekut, në të cilën u vranë dhe u dogjën 54 shqiptarë, përfshirë edhe fëmijë të vegjël, kryekuvendari Konjufca tha se është një prej akteve më të pashembullta të gjenocidit, ngase, siç tha ai, në Poklek të gjithë të vrarët u varrosën në një varrezë masive. 

“Pra, kush dëshiron ta kuptojë se çfarë barbarie ishte gjenocidi i Serbisë në Kosovë dhe cilat janë përmasat e këtyre krimeve, duhet të vijë në Poklek për të parë të vërtetën e këtij gjenocidi”, theksoi Konjufca. 

Kryekuvendari i Kosovës tërhoqi vërejtjen duke thënë se për këto masakra të urdhëruara nga krerët shtetërorë të Serbisë dhe të kryera nga forcat serbe gjithandej nëpër Kosovë, ende nuk ka drejtësi. 

“Shumë  kriminelë serbë, që kanë marrë pjesë në këto masakra, ende janë të lirë, janë në Serbi, e ndonjëri prej tyre edhe në Kosovë. Dëshmorët dhe martirët nuk mund të prehen të qetë, as zemrat e familjarëve nuk mund të qetësohen pa u vënë në vend drejtësia, pa u dënuar të gjithë kriminelët për mizoritë e tyre të kryera në Kosovë”, u shpreh Konjufca.

Kryekuvendari Konjufca tha se Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera duhet të punojnë në përgatitjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë. 

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera të shtetit duhet të përpilojnë padi për gjenocid kundër Serbisë dhe atë ta dorëzojnë në Gjykatën Ndërkombëtare. Normalisht që për këtë nevojitet punë e madhe, punë sistematike, dhe se njëri prej akteve të para do të ishte rithemelimi i Institutit të Luftës. Askush nuk ka dyshim se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë”, ka thënë veç tjerash Konjufca. 

Më këtë rast, kryevendari Konjufca bashkë me presidenten Osmani kanë vizituar edhe shtëpinë e Sinan Muqollit në Poklek, në të cilën janë vrarë e më pas janë djegur 54 anëtarë të familjeve Muqolli dhe Elshani, në mesin e tyre edhe shkrimtari i njohur për fëmijë Ymer Elshani me familjen e tij dhe shumë gra e fëmijë. Ndërsa në Çikatovë të Vjetër po të njëjtën ditë, forcat serbe masakruan 24 shqiptarë, po ashtu gra, fëmijë e pleq.​

Leave a Reply