Këta pritet të jenë disa nga emrat e Kryesisë së LDK-së. Ky do të jetë i dyti i LDK-së

0
356

Këshilli i ri i Përgjithshëm i LDK-së pritet që sot nga ora 14:00 ta mbajë mbledhjen e saj të parë, raporton Gazeta Blic.

Në këtë mbledhje pritet që të zgjedhet edhe Kryesia e kësaj partie.

Por, kush do të jenë anëtarët e kësaj kryesie?!

Gazeta Blic nga burime të saja i ka marrë vesh disa nga emrat që do të jenë në Kryesinë e LDK-së.

Sipas këtyre burimeve, Kujtim Shala pritet që të jetë anëtar i Kryesisë dhe nënkryetar i saj.

”Kujtim Shala do të jetë nënkryetar i parë i partisë, pra të jetë i dyti i LDK-së”, tha ky burim.

Ndryshe, Shala në zgjedhjet e fundit ishte njeriu i dytë më i votuar, menjëherë pas bartësit të Listës, Avdullah Hoti.

Sipas burimeve të Gazeta Blic pjesë e Kryesisë pritet të jetë edhe deputeti i zgjedhur Arben Gashi, i cili në legjislaturën e kaluar ishte edhe shef i Grupit Parlamentar të LDK-së.

Në Kryesinë e LDK-së siç merret vesh pritet Këshillit të Përgjithshëm t’i propozohen edhe emrat e tre ish- kundërkandidatëve të Abdixhikut.

”Pritet që në Kryesi të futet edhe Lutfi Haziri, Anton Quni e Besian Mustafa, të tre këta që ishin në garë me Abdixhikun për të parin e partisë”, thonë këto burime.

Emrave për anëtar të kryesisë nuk do t’i mungojë as ai i kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti.

Një “pozicion” të rëndësishëm në Kryesi pritet ta marrë edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili edhe publikisht ishte rreshtuar pro Lumir Abdixhikut si kryetar partie.

Edhe kryetari tjetër i një komune që udhëheq LDK, Imri Ahmeti pritet ta zërë një vend në Kryesi të partisë.

Në organin më të rëndësishëm të LDK-së, në Kryesi pritet të hyjnë edhe ish- ministrja e Financave, Hykmete Bajrami dhe ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi.

Këto burime thonë se pritet edhe disa emra të rinj të jenë pjesë e Kryesisë, të cilët do të shkojnë me propozim të Abdixhikut.

Me gjasë edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahirit do t’i “shpërblehet” mundi që kishte dhënë për ta bërë Abdixhikun kryetar partie. Siç merr vesh Gazeta Blic edhe ai mund të jetë pjesë e Kryesisë.

Problem i madh për Abdixhikun do të jetë Agim Veliu.

Gazeta Blic merr vesh se Abdixhiku nuk është që e dëshiron Veliun ta ketë në kryesi, gjë që kjo mund të shkaktoj pakënaqësi në këtë parti.

Listës së Kryesisë mund t’i “bashkohet” edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ndryshe, sipas Statutit të LDK-së, Kryesia i ka 23 anëtarë, por Isa Mustafa pas zgjedhjes si kryetar partie më 2019 e kishte zgjeruar kryesinë me 35 anëtarë.

Ende nuk dihet nëse Abdixhiku do të vendos për 23 apo për 35 anëatarë të Kryesisë.

Pjesë e kryesisë së kaluar ishin: Agim Veliu, Kujtim Shala, Lutfi Haziri, Vjosa Osmani (e cila ishte përjashtuar më pas), Gazmend Muhaxheri, Haki Rugova, Ismet Beqiri, Imri Ahmeti, Anton Quni, Hikmete Bajrami, Avdullah Hoti, Muharrem Sfarqa, Sokol Haliti, Vlora Dumoshi, Lumi Abdixhiku, Brikena Krasniqi, Valon Murtezi, Fadil Krasniqi, Rrezarta Krasniqi, Arban Abrashi, Mirjeta Kalludra, Besian Mustafa, Florian Dushi, Selim Kryeziu, Mybera Mustafa, Safet Kamberi, Lutfi Zharku, Lirije Kajtazi dhe Fidan Rekaliu.

Ndryshe, javën e kaluar LDK e zgjodhi Lumir Abdixhikun si kryetar partie, pas dorëheqjes së Isa Mustafës, për shkak të rezultatit të dobët zgjedhor me 14 shkurt.

Leave a Reply