Kërkohet kufizim i numrit të zëvendësministrave në dy për ministri

0
41

Organizata Demokracia Plus, ka kërkuar nga Qeveria që ta zbres numrin e zëvendësministrave në 2, në secilën ministri.

Kjo organizatë thekson se sot janë bërë një muaj qëkur është zgjedhur Qeveria Hoti, brenda së cilës periudhë janë emëruar 46 zëvendësministra në kuadër të 16 ministrive.

“Numri i zëvendësministrave për ministri shkon nga një deri në pesë, por që ky numër pritet të rritet duke pasur parasysh që si proces nuk është përmbyllur ende. Nga numri i përgjithshëm i zëvendësministrave të emëruar, vetëm 7 janë gra apo 15% dhe 39 burra apo 85%. Për më tepër, vendimet e Qeverisë për emërimin e këtyre zëvendësministrave nuk janë publike, si dhe emrat e tyre nuk janë publikuar në ueb faqet zyrtare të ministrive përkatëse”.

“Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, LDK përmes kandidates së saj për kryeministre, ka nënshkruar Deklaratën e Zotimeve për Qeverisje të Mirë të hartuar nga Demokraci Plus. Përmes kësaj deklarate, LDK është zotuar në kufizimin e numrit të zëvendësministrave në maksimumi dy për ministri. Ky ka qenë edhe premtim elektoral, të cilin kërkojmë nga LDK si udhëheqëse e Qeverisë që t’i përmbahet”.

“Kufizimi i numrit të zëvendësministrave, përveçse do të reduktojë shpenzimet financiare në këtë kohë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, ne besojmë se do të ndikojë edhe në rritje të efikasitetit të qeverisë, eliminimit të praktikës së punësimeve klienteliste, dhe vet ruajtjes së integritetit të pozitës së zëvendësministrit e cila po devalvohet nga emërimet e personave të pakualifikuar dhe mbipopullimit”.

Në këtë drejtim, D+ kërkon:

Të mos emërohen më shumë se dy zëvendësministra për ministri;

Mos të ketë zëvendësministra nga subjekti politik i njëjtë me ministrin;

Të mos ketë zëvendësministra nga i njëjti subjekt politik brenda një ministrie;

Zëvendësministrat të kenë portofol të caktuar;

Zëvendësministrat të jenë persona me integritet të lartë profesional dhe moral;

Të garantohet përfaqësim i barabartë gjinor për pozitat e zëvendësministrave;

Të publikohen me kohë të gjitha vendimet për emërime të zëvendësministrave;

Të azhurnohen të gjitha ueb faqet e ministrive me emrat dhe të dhëna biografike për zëvendësministrat.

Leave a Reply