KelKos Energy mbështet aplikimin e Standardeve Evropiane për gjitha projektet e hidrocentraleve në Kosovë

0
394

Disa javë më parë, KelKos ka mirëpritur publikisht formimin e komisionit parlamentar për hetimin e procedurave të lejeve dhe situatës mjedisore të hidrocentraleve në Kosovë. Që nga ajo kohë disa politikanë kanë komentuar lidhur me këtë temë. Edhe Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani ka vizituar Deçanin dhe deklaroi se duhet të punohet rreth kësaj çështje. Ne kemi pyetur KelKosin disa pyetje në këtë kontest kontekst. Përfaqësuesit e kësaj kompanie Woeber dhe Dolzer përgjigjen për Express.

Express: Pse KelKosi nuk e shoqëroi Kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në hapësirën ku ju e keni hidrocentralin?

KelKos : Fatkeqësisht, KelKosi nuk ka qenë i informuar lidhur me vizitën e saj. Do kish qenë kënaqësi për ne që ta informojmë lidhur me faktet në terren dhe t’i sqarojmë disa keqkuptime.

Express : Osmani u ankua në shfaqjen e videos së saj drejtpërdrejt lidhur me degradimin nga eskavimi i rërës në hapësirën Zalli Rupe. Në prapavijë duket një gërmadhë me rërë të freskët të eskavuar?

KelKos: Ne jemi shumë falënderues ndaj deklaratave të saj në atë lokacion. Ajo shfaqet pranë zonës së eskavuar të rërës, ku një kompani lokale e ndërtimit ka eskavuar pa ndonjë leje apo autorizim dhjetëra-qindra tonelata të rërës për ndërtimin e rrugës në Grykën e Deçanit. Ne kemi raportuar këtë aktivitet të pa legjitimuar disa herë në Policinë e Deçanit. Njësia për krime mjedisore e Policisë së Kosovës ka regjistruar këtë eskavim ilegal gjatë vizitës së vetë në Tetor të vitit 2018. Sidoqoftë, deri më tani për aq sa kemi njohuri, nuk është ndërmarrë ndonjë veprim nga autoritetet kundër këtyre punëve. Vetëm KelKos është akuzuar në mënyrë të pavërtetë për këtë.

Express : Si mund të dëshmoni që ky nuk është lokacioni ku ju keni eskavuar?

KelKos : KelKos nuk ka minuar rërën por ka hequr shtresën e sipërme të bazës së rezervuarit të ardhshëm. Ky material ka qenë shumica: dhe, lloq, dhe shkëmbinjtë, që është dashur të riciklohet me kosto të lartë. Pas hulumtimeve të shumta gjithëpërfshirëse gjeoteknike që projekti i pendës ishte shumë i rrezikshëm dhe nuk mund të ndërtohej, KelKos menjëherë ka ndaluar këtë aktivitet dhe ka raportuar për ndryshim të dizajnit në MMPH, ku edhe është aprovuar. Të gjitha eskavimet e dukshme të rërës në 4 vitet e fundit janë bërë nga kompania ndërtuese e rrugës, pa ndonjë leje apo autorizim. Ne kemi bërë matje të sakta gjeodezike të materialit të eskavuar dhe kjo është dokumentuar nga ne në masë të madhe nëpërmjet fotografive.

Express : Kryetarja e Kuvendit dhe organizatat tjera kërkojnë që ky degradim i natyrës duhet të rehabilitohet. Pse nuk e keni bërë këtë, të paktën në atë pjesë ku është eskavuar nga ana e KelKos?

KelKos : Që nga viti 2016 kemi kërkuar nga autoritetet përgjegjëse një vendim se si të procedojmë më tutje me Zalli Rupe. Ne kemi ofruar të vendosim përsëri tërë materialin nga jasht në lokacionin origjinal, por nga ana komunale është preferuar fuqishëm një lloj liqeni. Si rrjedhojë ne kemi përgatitur një test-rezervuar. Për shkak të reduktimit të rrjedhës së lumit gjatë verës dhe vjeshtës, uji humbet në tërësi nën tokë dhe liqeni është i thatë, sikur tani. Prandaj, ne kemi përgatitur një dizajn të reviduar me një shtresë izoluese në bazën e liqenit për të mbajtur ujin. Ne e kemi dërguar këtë dizajn në vitin 2019 në MMPH për aprovim dhe jemi duke pritur akoma për një vendim. Kështu që, ne pajtohemi 100 për qind me kërkesën e Znj. Osmani. Por ne nuk mund të fillojmë punimet pa leje nga ana e autoriteteve.

Express : Gjatë javëve të fundit, KelKos është akuzuar ashpër për degradim të natyrës në grykë, për mos mbajtjen e nivelit minimal të ujit, etj. Në vizitën e djeshme mungonin këto akuza. Cila mendoni se është arsyeja?

KelKos : Nga pikëpamja jonë, përgjigjja është shumë e thjeshtë. Kur e viziton grykën, gjeni natyrë të ri kultivuar dhe lum të mbushur me ujë. Me mediat si dëshmitarë, është shumë më vështirë të prezantohen fotografitë e ndërtimit nga viti 2014 dhe të pretendohet që këto të njëjtat janë edhe në vitin 2020, gjë që vazhdimisht e ka bërë një OJQ. Në fakt, MMPH i ka aprovuar punët tona të rehabilitimit si të përfunduara në vitin 2019. Fatkeqësisht, punët ndërtimore të rrugës të kompanisë së përmendur ka degraduar në masë të madhe segmentet të cilat ne i kemi ri kultivuar plotësisht dhe ka dëmtuar natyrën.

Express : Cilat janë pritjet e juaja nga komisioni parlamentar?

KelKos : Ne llogarisim në tre shtylla, që mund të vendosin për suksesin e këtij komisioni.

E para, faktet duhet të vlerësohen, jo thashethemet dhe akuzat e pavërteta.

E dyta, kriteret e njëjta të cilësisë duhet të aplikohen për gjitha projektet e HEC-ve në Kosovë. Për ne është e papranueshme që të përzihemi me degradimet e dukshme natyrore të projekteve tjera, ku investitorët dukshëm nuk kanë respektuar obligimet ri kultivuese.

E treta, ne presim që anëtarët e komisionit të vlerësojnë të gjeturat në mënyrë të paanshme. Ky komision mund të shërbejë si një instance e vlefshme për investitorët e tanishëm dhe të ardhshëm në Kosovë nëse vendimi i tyre është i bazuar në fakte dhe me perspektivë pozitive për energjinë e gjelbër. Në anën tjetër, një vendim i njëanshëm, i ndikuar nga lobime tjera, mund të dëmtojë shumë klimën tashmë të ndjeshme investuese në Kosovë.

Express : Disa zëra politik propozojnë të ri konsiderohet hidroenergjia si objektive e ardhshme energjetike. Si do t’i përgjigjeshit këtyre njerëzve?

KelKos : Një e ardhme e dëshirueshme energjetike pa energji nukleare dhe termocentrale duhet të mbështetet në gjitha teknologjitë e ripërtërishme, erë, atë fotovoltaike por po ashtu edhe hidro-gjeneruese. Nuk është në pyetje cila, sipas mendimit tonë duhet të jetë e kombinuar, bazuar në potencialet e secilit regjion. Shtetet si Norvegjia, Zvicra dhe Austria japin shembuj të mirë.

Tjetër pyetje: Si mund dikush të arsyetoj paragjykimet e pabazuara kundrejt energjisë së gjelbër para mijëra familjeve me fëmijë, që vuajnë nga problemet me mushkëri në dhe përreth Prishtinës të shkaktuara nga tymi toksik si pasojë e gjenerimit të energjisë prej termocentraleve?

Express : Ju keni përmendur shembujt Europian në hidro-energji. Por ata sigurisht aplikojnë standarde më të larta se këtu në Kosovë?

KelKos : Këtu ne si KelKos nuk pajtohemi aspak. KelKos ka aplikuar në dizajnimin e centraleve elektrike në Deçan, Standardet Evropiane që nga viti 2012, pa qenë të obliguar për të bërë këtë me anë të ligjit. Për sqarim, kemi instaluar rrugën/shkallët për peshq në gjitha veprat marrëse, që mbështesin faunën në segmentin e lumit. Kjo e ka shtuar vlerën e investimit, por është standard i yni. Një sërë stacionesh automatike masin 24/7 nivelin minimal të ujit përgjatë lumit, të dhënat vlerësohen nga MMPH. Cili tjetër hidrocentral i ka këto në Kosovë?

Për ne implementimi i Standardeve Evropiane është obligim ditorë në më shumë se 70 hidrocentrale të grupit Kelag në gjithë Evropën. Por kjo për hidrocentralet në përgjithësi në Kosovë do të ishte një hap i madh përpara. Do të ishte një ndihmesë shumë e madhe nëse do filtroheshin ato projekte të cilave ju mungon kapaciteti investues për përmbushjen e këtyre kushteve.

Leave a Reply