Ish-presidenti shqiptar: Me vënien e taksës Kosova i tregoi Serbisë që ka zot shtëpie

0
41

Ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu, thotë se vendimi i Qeverisë Haradinaj për taksën 100% ndaj Serbisë ka qenë i duhur, kurse korrigjimi i kufijve është ndërkombëtarisht i rrezikshëm. Sipas tij, Kosovës po i bëhet padrejtësi sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.

Moisiu, në një intervistë për KosovaPress, thotë se qeveria e re e Kosovës duhet të jetë largpamëse sa i përket çështjes me Serbinë dhe duhet gjetur mënyrën për marrëveshje me shtetin fqinj.

Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për Moisiun kanë shumë rëndësi meqë nuk mund të vazhdohet pafundësisht me gjëra pezull.

Sipas tij, ka qenë e nevojshme t’i tregohet Serbisë që Kosova ka zot shtëpie e kjo u bë me vendosjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe.

Moisiu thotë se taksa tashmë e ka arritur efektin e saj dhe duhet parë me kujdes si të vazhdohet tutje në këtë çështje.

“Kosova mori një masë të mirë për ngritjen e taksave, për mua ky vendim ka qenë me vend, për t’i thënë, thotë një fjalë e vjetër, konaku ka zot, që ta kuptojë më mirë. Por tani kjo duhet parë, unë mendoj që qëllimi u arrit, për vendosjen e taksës, qëllimi ka qenë që Serbia ta ketë parasysh që Kosova vendosë vetë për gjëra të veta, ne dëgjojmë të tjerët por vendosim edhe vetë dhe mendimin tonë e kemi të parin”, ka thënë ai.

Ish-presidenti shqiptar konsideron se Qeveria e re e Kosovës nuk duhet të merret me problemet ditore por me atë se çka do të bëhet tutje, ose siç thekson ai, duhet të jetë largpamëse.

Sa i përket shtetit të Serbisë, ai mendon që nuk do të mundë të vazhdojnë gjatë me kokëfortësi, ndërkohë që shprehet se nuk i kupton deklaratat e politikanëve serbë: “Kosova është zemra e Serbisë”, meqë 95% e popullsisë në Kosovë janë shqiptarë.

“Serbët i njohim, e dimë si është, Kisha serbe gjithashtu e dimë si është, megjithatë jetojmë në Ballkan, i kemi fqinjë dhe me fqinjë duhet gjetur mënyrën si të bëhet marrëveshje. Shpesh unë përdor një shprehje: ‘mikun dhe shokun mund t’i zgjedhësh por fqinjin ta jep Zoti’. Prandaj duhet gjetur mënyrën si të merresh vesh. Dhe, unë gjykoj që duhet menduar hapat qeveria e re që po krijohet tani, duhet t’i mendojë këto gjera me kujdes, duke parë perspektiven, duhet të jetë më largpamëse, nuk është puna të problemet ditore, problemi është çka do të bëhet me tej. Unë mendoj që edhe Serbia nuk mund të vazhdojë gjatë kështu me këtë kokëfortësi. Janë thënë budallaqe: ‘Kosova është zemra jonë’, si mund të jetë Kosova zemra e Serbisë me 5 për qind serbë e 95 për qind shqiptarë, këtë nuk e marr vesh, këtë nuk e kupton asnjëri. Por nacionalizmi i tërbuar i ka kë to gjëra”, thotë ish-presidenti shqiptar.

I pyetur për idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, Moisiu thotë se një veprim i tillë është ndërkombëtarisht i rrezikshëm.

“Korrigjimi i kufijve është i rrezikshëm, ndërkombëtarisht i rrezikshëm, pa folur për interesat tona. Sepse kjo hap një problem shumë të madh, pra e mira e gjithë popujve të Ballkanit është integrimi në Bashkimit Evropian dhe aty pastaj rregullohen gjërat”, thotë Moisiu.

Ndër të tjera, në intervistën dhënë KosovaPress-it, ish-presidenti shqiptar ka deklaruar që Kosovës po i bëhet padrejtësi sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, duke mos i dhënë përgjigjën pozitive ani pse i ka përmbush të gjitha kriteret

Leave a Reply