Ish-ministri propozon të dënohen me 5 vjet burgim komisionerët që manipuluan votat

0
50

Brenda pak ditëve, KQZ-ja me sugjerim të QNR-së dy herë ka marrë vendim për rinumërim në më shumë se 700 vendvotime.

Disa vendvotime janë rinumëruar për shkak të një gabimi teknik që ishte bërë me formularët e KQZ-së, ndërkohë vendimi për serinë e dytë të rinumërimeve është bërë për shkak të ankesave të mëdha të partive politike, për manipulime të komisionerëve me vota.

E për gjithë këto parregullsi ish-ministri i drejtësisë dhe kandidati për deputetë nga radhët e LDK’së, Haki Demolli, ka propozuar që manipuluesit e votave të gjykohen dhe të dënohen deri në 5 vjet burg.

Shkrimi i plotë i Demollit:

GJYKIMI DHE DËNIMI (DERI NË 5 VJET BURG) I MANIPULUESËVE TË VOTAVE ËSHTË BAZË E SFORCIMIT TË SHTETIT LIGJOR DHE SUNDIMIT TË LIGJIT NË REPUBLIKËN E KOSOVËS !

Ka dy ditë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendimin dhe ka filluar rinumërimin edhe të 530 vendvotimeve të tjera, pas rekomandimeve të Qendrës për Rinumërim dhe Rezultate, për shkak të mospërputhjes ndërmjet votave të subjekteve politike dhe të kandidatëve për deputet.

Kjo mospërputhje, dyshohet se është pasojë e veprimeve të kundërligjshme të komisionerëve të subjekteve politike dhe të kandidatëve, të cilët kanë tentuar që ta shtrembërojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe vullnetin e elektoratit – pra të sovranit të Kosovës. Sipas të gjitha gjasave përgjegjës për këto parregullësi, janë komisionerët e pandërgjegjshëm, që kanë manipuluar me votën dhe vullnetin e popullit, duke u vënë në shërbim të kandidatëve apo grupeve të caktuara të individëve, të cilët kanë dashur që të centralizojnë votën e votuesve të komunave të caktuara tek kandidatët e tyre, madje herë herë edhe në përqindje të “paimagjinuar” për realitetin e Kosovës.

Për shkak të pasojave të rënda që shkaktojnë veprimet e tilla, jo vetëm për pjesëmarrësit në këto zgjedhje, por edhe për përbërjen e oragneve tona shtetërore dhe sundimin e ligjit në përgjithësi, kërkoj nga organet e ndjekjes penale dhe të gjyqësisë tonë, që të hetojnë të gjitha rastet e dyshimta dhe aty ku vërtetohet shkelja e ligjit në këtë proces zgjedhor, ndaj kryerësve të tyre të shqiptohen dënimet e parapara me ligj, i cili është tejet decidiv, duke përcaktuar se, “kushdo që shton, heq apo fshin votat apo nënshkrimet, regjistron në mënyrë të pasaktë votën apo rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore, ose publikon votën apo rezultatet e zgjedhjeve apo të votimit që nuk i përgjigjen votimit të vërtetë, ose në ndonjë mënyrë tjetër falsifikon votën apo rezultatet e zgjedhjeve, dënohet me burgim prej një(1) deri në tre (3) vjet. Kur vepra e lartëcekur penale, kryhet nga anëtari I Komisionit Zgjedhor ose nga ndonjë person tjetër në keqpërdorim të detyrave, pozitës apo autorizimeve të tij lidhur me zgjedhjet, kryesi dënohet me burgim prej tre(3) deri në pesë (5) vjet.

Unë besoj se, poqëse ndaj kryerësve të tillë do të zbatohej ligji me përpikëri, në zgjedhjet e radhës, komisionerët e partive politike do të ishin më të kujdesshëm, më vigjilentë dhe nuk do të rrezikonin burgimin me dënim deri në pesë (5) vjet, as për vetën e tyre (po të ishin kandidatë) e lenë më për kandidatë të tjerë.

Ndëshkimi i “manipulesëve të votave” është i domosdoshëm, sepse duke penguar dhe ndëshkuar vjedhjen e votave dhe “zgjedhjen” e deputetëve me votë të manipuluar, organet e drejtësisë, do të pengojnë hyrjen në kuvend të përfituesve nga manipulimet me vota, si dhe drejtëpërdrejtë do të ndikojnë në sforcimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit. Nuk ka dyshim, se ata që përfitojnë nga manipulimi i votave, janë të gatshëm të manipulojnë edhe me çështje të tjera si dhe me vendimet që mirren në Kuvendin e Kosovës.

Leave a Reply