Haxhiu: Zyrtarisht po fillon një nga proceset më të rëndësishme të drejtësisë, Vettingu

0
326

Sot, nën organizimin e Ministrisë së Drejtësisë, u mbajt takimi i parë i Grupit Punues për hartimin e koncept-dokumentit për procesin e Vettingut. Të pranishëm në këtë takim ishin anëtarët e Grupit Punues, njëkohësisht përfaqësuesit nga institucionet e drejtësisë- Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, institucionet tjera, organizatat e shoqërive civile dhe ekspertë të pavarur të cilët kanë shprehur paraprakisht gatishmërinë për të kontribuar në këtë drejtim.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur falënderimet për pjesëmarrjen e anëtarëve të Grupit Punues, duke uruar njëkohësisht që bashkërisht të jetësohen përpjekjet që ky proces të realizohet në mënyrë të suksesshme, përkundër sfidave që ka, dhe rrjedhimisht të thellohet besimi i qytetarëve tek institucionet e drejtësisë.

Haxhiu potencoi se gjyqësori është komponentë e rëndësishme e sundimit të ligjit të çdo shteti dhe se pamundësia e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të veprojë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve shpie tek etablimi i kulturës së mosndëshkimit që shtyp zërin e qytetarëve.

“E kjo është dukuri që ne, si Qeveri e Republikës së Kosovës nuk mund ta lejojmë të ndodhë. Fatkeqësisht, besimi i publikut në sistemin gjyqësor dhe prokurorial nuk është dëshmuar të jetë në nivelin e pritshmërive. Kjo nuk rëndon vetëm sistemin gjyqësor e prokurorial, por edhe vetë Qeverinë e Republikës së Kosovës e cila është e përkushtuar, me tërë fuqinë e saj, ndaj realizimit të plotë të të drejtave të qytetarëve, ashtu si u janë garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet e Republikës së Kosovës”.

Këtë takim, ministrja e cilësoi si simbol të nisjes së ndryshimeve pozitive brenda sistemit të drejtësisë, dhe inkurajoi të gjithë që të përkushtohemi më tërë kapacitetet që të lëmë trashëgimi të duhur atyre që vijnë pas nesh, e po ashtu të kthejmë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Tutje në takim, është bërë prezantimi i strukturës përmbajtjesore të koncept-dokumentit dhe gjithashtu planit fillestar të punës nga Lulzim Beqiri, kryesues i Grupit Punues, e cila pritet të përfundohet brenda katër muajve.

Në anën tjetër të pranishmit në takim, përfaqësues nga institucionet dhe shoqëria civile, shprehen vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe kontribuuar në këtë proces të rëndësishëm reformues në sistemin e drejtësisë.

Në fund të takimit anëtarët e Grupit Punues u dakorduan rreth planit të punës dhe formatin mbi bazën e të cilit do të përgatitet ky Koncept Dokument si dhe fazat nëpër të cilat do të kalojë deri në miratimin e tij në Qeveri.

Leave a Reply