Haskuka numëron problemet më kryesore që ka Prizreni

0
370

Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka ka numëruar një varg problemesh me të cilat ballafaqohet sot Prizreni e që sipas tij, disa nuk janë zgjidhur pasi nuk janë në kompetencë të komunës.

Haskuka, që është kandidat i Vetëvendosjes edhe për një mandat, ka thënë në emisionin Zgjedhjet në KOHË, se problemi më i madh është me kompanitë rajonale, që sipas tij, profitin e marrin në Prizren, por më së paku i japin përgjegjësi komunës.

“Problemet kyç në qytet janë mirëmbajtja e hapësirave publike, parqeve, të cilat momentalisht bëhen me tender ose nga Eko Regjioni. Mendoj se Prizreni si një ndër komunat më të mëdha duhet të ketë kompaninë e vetë komunale, edhe për pastrim edhe për mirëmbajtje, mos me u var nga proceset e prokurimit për rregullimin e gjërave të vogla, qoftë në ndriçim publik, qoftë ndonjë gropë. Edhe pse për ujin kemi investuar shumë, kemi bërë ndërrimin e gypave që furnizojnë qytetin, ende ekziston nevoja për investim në këtë fushë. Edhe këtu paraqitet problemi i kompanive rajonale, të cilat profitin e bëjnë në Prizren e udhëhiqen faktikisht jashtë kompetencave të Komunës së Prizrenit. Të gjitha këto, si Eko Regjioni ashtu edhe Hidro Regjioni nuk kanë llogaridhënie të mirëfilltë ndaj komunës dhe këtë duhet ta rregullojmë”, ka thënë Haskuka.

Ai ka folur edhe për kabllot e rrymës dhe ato të operatorëve ekonomikë, si probleme në qytet./Koha.net

Leave a Reply