Haskuka: Nuk ka bazë ligjore që të vazhdohet me kontrata preferenciale për partitë politike

0
497
Mytaher Haskuka - Kryetar i Prizrenit

Në mesin e disa pikave të rendit të ditës në vazhdimin e seancës së tretë të rregullt për vitin 2020 të Kuvendit Komunal, ishte edhe propozim vendimi për shpalljen e ankandit publik për dhënien në shfrytëzim me qera të pronës komunale, objekteve – lokale, si dhe hapësirave publike me kohë afatshkurtër.

Pikërisht kjo pikë nuk mori shumicën e kuvendarëve për të kaluar. Lidhur me këtë ka reaguar edhe Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili ka thënë se dhënia me qera e objekteve komunale partive politike me shuma simbolike është në kundërshtim me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.

Për këtë shkak Haskuka ka thënë se nuk ka bazë ligjore që të vazhdohet me këto kontrata preferenciale për partitë politike.

Reagimi i plotë i Mytaher Haskukës:

“Sot në Asamblenë Komunale nuk u miratua propozim-vendimi për shpalljen e ankandit publik për dhënien në shfrytëzim me qira të pronës komunale objekteve-lokaleve, si dhe hapësirave publike me kohë afatshkurtër.

Shumica e këtyre objekteve që janë në listën për dhënie në shfrytëzim janë hapësira të cilat i shfrytëzojnë partitë politike. Arsyeja pse partitë politike kërkuan shtyrjen e votimit është se shumica e objekteve/lokaleve janë në shfrytëzim të partive politike me kontrata të drejtpërdrejta me vlerë prej 1 euro në muaj.

Këto kontrata që janë bërë në afate të ndryshme kohore, ku partitë politike paguajnë një shumë simbolike prej 1 euro në muaj, janë në kundërshtim me ligjin, ngase në Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës së vitit 2010 dhe në ligjet pasuese theksohet që gjithë prona komunale mund të jepet në shfrytëzim vetëm me ankand publik.

Andaj nuk ka bazë ligjore që të vazhdohet me këto kontrata preferenciale për partitë politike, aq më shumë nëse marrim parasysh lokacionin e tyre, ku shumica e këtyre objekteve gjenden në qendrën historike afër Shatërvanit.

Nëse marrim parasysh që lokalet e shfrytëzuara nga partitë politike janë rreth 1115 m2 dhe çmimi optimal në qendrën e qytetit është rreth 12 euro për metër katror, atëherë komuna mesatarisht çdo muaj ka një humbje prej rreth 13,380 eurove, apo 160,560 euro në vit. Nëse marrim parasysh që këto hapësira shfrytëzohen për më shumë se 10 vite nga partitë politike, atëherë dëmi ekonomik që iu është shkaktuar qytetarëve të Komunës së Prizrenit, në total është rreth 1,6 milionë euro.

Pra, këto kontrata pos që nuk kanë baza ligjore e morale, nuk kanë as arsyeshmëri ekonomike.

Në interesin publik të qytetarëve të Komunës së Prizrenit por edhe të partive politike është që këto lokale të jepen në shfrytëzim sipas çmimit të tregut, e nga këto fonde më pas mund të mbështeten projekte të ndryshme në të mirën e qytetarëve të komunës së Prizrenit.

Mbesim me shpresë që në takim me kryetarët e partive politike në komunën tonë, të gjejmë një zgjidhje për interesin publik!”, ka thënë Haskuka./04 Online

Video:

https://www.facebook.com/plugins/video.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fmhaskukaa%2Fvideos%2F220154036093280%2F&show_text=0&width=560

Leave a Reply