Haskuka: Nëse votohet rishikimi i buxhetit në Kuvendin e Kosovës shumë projekte në Komunën e Prizrenit do të mbesin pa u përfunduar

0
504

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka shprehur drojën e tij se në rast të rishikimit dhe votimit të buxhetit, shumë projekte të parashikuara për Prizrenin mund të mbesin pa u realizuar.

Sipas Haskukës nga ky rishikim i buxhetit, Prizreni pritet të humbë rreth 2 milion euro në investime kapitale.

“Sot në Kuvendin e Kosovës do të shqyrtohet rishikimi i buxhetit. Nëse ky rishikim votohet, shumë projekte në Komunën e Prizrenit do të mbesin pa u përfunduar, për arsye se fondet nga projekte të shumta të bashkëfinancuara nga ministritë janë shkurtuar dhe me këtë Prizreni në total do të humbë më shumë se 2 milionë euro.

Projektet që rrezikohen me këtë rishikim janë stadiumi “Përparim Thaqi”, Qendra Rinore, çerdhja në lagjen “Bajram Curr”, asfaltimi I rrugës Mazrek-Ghonaj-Bishtazhin, salla e edukatës fizike në Lubinje të Epërme, is dhe shumë projekte në rajonin e luginës së Lumbardhit (në Zhupë).

Përveç këtyre projekteve me kode buxhetore ku ka shkurtim të fondeve, kemi parë që disa projekte, edhe pse kemi pasur marrëveshje të bashëpunimit me ministritë, janë larguar tërësisht nga buxheti. Si shembull, ministri i MAPL-së, Rakiç ka anuluar katër projekte që kishim për komunitetet.

Po ashtu dua t’ju rikujtoj që partitë që tani dëshirojnë të bëjnë këtë rishikim në nivelin qendror, në asamblenë komunale nuk e votuan rishikimin e buxhetit komunal.

Ky rishikim I buxhetit ishte për shkak të efekteve të pandemisë COVID-19, ashtu që në projekte ku kemi kontrata t’i intensifikojmë punët dhe në projekte ku mund të mbesin teprica të kalojmë në projekte tjera. Për shkak të kësaj papërgjegjësie të këtyre asamblistëve, Prizreni rrezikon të humbë rreth 5 milionë euro.

Nëse kalon edhe ky revidim me buxhetin qendror, ne do të kemi miliona euro më pak investime për këtë vit!”, ka thënë Haskuka./04 Online

Leave a Reply