Haskuka: Komuna e Prizrenit përkrah variantin e mësimit në shkollë dhe mësimit në distancë përmes platformës dixhitale

0
467

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka pritur në takim ministrin e Arsimit, Ramë Likaj dhe ministrin e Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan.

Në këtë takim ishte e pranishme edhe drejtoresha e arsimit, Xhemile Vezgishi, me ç’rast është biseduar për përgatitjet dhe skenarët e mundshëm për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021. Si rrjedhojë, Haskuka në këtë takim ka thënë se Komuna e Prizrenit përkrahë variantin e mësimit të alternuar, përkatësisht mësimit në shkollë dhe mësimit në distancë përmes platformës dixhitale.

“Sot kam pritur në takim ministrin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, i shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan, ku biseduam për përgatitjet dhe skenarët për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021.

Me këtë rast ministrin Likaj njoftova se Komuna e Prizrenit përkrah variantin e mësimit të alternuar, pra mësimit në shkollë dhe mësimit në distancë përmes platformës dixhitale, në bazë të situatës pandemike.

Po ashtu gjatë takimit kam njoftuar ministrin për sfidat me të cilat po ballafaqohet Komuna për shkak të problemeve të paraqitura me zbatueshmërinë e udhëzimeve të ndryshme administrative, si dhe për rëndësinë e rritjes së nivelit të përfshirjes së komuniteteve në procesin arsimor.

Falënderoj ministrin për vizitën si dhe gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim!”, ka thënë Haskuka./04 Online

Leave a Reply