Haskuka, drejtorëve të shkollave: Përzgjedhja e mësimdhënësve është jovalid

0
80
Mytaher Haskuka - Kryetar i Prizrenit

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, paralajmëron formimin e një komisioni tjetër për pranimin e mësimdhënësve të rinjë.

Sipas tij, përzgjedhja e mësimdhënësve në konkursin e fundit është jovalid.

“Si kryetar i Komunës, kam marrë vendim që të anuloj vendimet e DKA-së për komisionet përzgjedhëse, ngase në shumicën e komisioneve nuk janë përfshirë drejtorët e shkollave përkatëse si anëtarë të këtyre komisioneve (neni 35, paragrafi 4, i Ligjit për Arsimin Parauniversitar). Prandaj të gjitha vendimet e këtyre komisioneve për sa i përket përzgjedhjes së personelit arsimor janë jovalide”, shkruan Haskuka në “Facebook”

Postimi i plotë

Pas një pushim të merituar, sot me 2 shtator 2019 po fillojmë një vit të ri shkollor. Këtë vit shkollor të gjithë së bashku do të synojmë cilësinë.

Fillimisht ju uroj juve, nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve një vit të mbarë shkollor, me shëndet dhe mirëqenie.

Ju uroj suksese juve dhe gjithë punëtorëve të arsimit në Komunën e Prizrenit, me shpresë që së bashku të përmirësojmë ambientin edukativ në shkolla. Të mënjanojmë dhunën dhe ngacmimin, ashtu që fëmijët të duan shkollën dhe të ndihen të sigurtë për të menduar në mënyrë kritike, që të bëjnë pyetje dhe të hulumtojnë. Vetëm me stimulimin e kritikës dhe kreativitetit shkollat tona do të arrijnë cilësinë të cilën e dëshirojmë për fëmijët tanë.
Fillimi i këtij viti shkollor është përcjellur me parregullsi në procesin e konkursit për personelin mësimor. Si kryetar i Komunës, kam marrë vendim që të anuloj vendimet e DKA-së për komisionet përzgjedhëse, ngase në shumicën e komisioneve nuk janë përfshirë drejtorët e shkollave përkatëse si anëtarë të këtyre komisioneve (neni 35, paragrafi 4, i Ligjit për Arsimin Parauniversitar). Prandaj të gjitha vendimet e këtyre komisioneve për sa i përket përzgjedhjes së personelit arsimor janë jovalide.

Sot, gjithashtu do të emërohen komisionet e reja, me përfshirjen e drejtorëve të shkollave përkatëse dhe do të vazhdojmë me përzgjedhjen e personelit mësimor, në përputhje me dispozitat ligjore dhe mbi vlerat e meritokracisë.
Përfshirja e drejtorëve në komisonet përzgjedhëse të stafit mësimor jo vetëm që është dispozitë ligjore, por kjo është edhe prioritet i qeverisjes sonë lokale, ngase drejtorët duhet të fuqizohen dhe njëkohësisht duhet të jenë përgjegjës e llogaridhënës për cilësinë dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor në shkollat e tyre.

Sfidat eventuale që mund të paraqiten ditëve të para në ndonjë shkollë për arsye të mungesës së mësimdhënësve, duhet t’i zgjidhni në kuadër të kapaciteteve (burimeve njerëzore) të brendshme.
Mësimdhënësit e rinj do të përzgjidhen brenda një kohe të shkurtër dhe së bashku do të normalizojmë procesin edukativ-arsimor.

Si kryetar i Komunës, kam besim të plotë në punën, angazhimin dhe kontributin tuaj në organizimin e procesit mësimor në shkollat ku ju jeni drejtues.
Gjithë të mirat,
Mytaher Haskuka

Leave a Reply