Haskuka: Asnjë rrugë apo rrugicë që ka qenë e shtruar me kalldrëm nuk është mbuluar me kubëza

0
452
Mytaher Haskuka - Kryetar i Prizrenit

Një rrugë që çon në Kalanë e Prizrenit është bërë shkas për kritika ndaj pushtetit lokal në këtë qytet.

Shoqëria civile dhe partitë opozitare e kanë kritikuar pushtetin lokal të drejtuar nga LVV-ja se në disa rrugica po zëvendësohen kalldrëmet me kubëza.

Por, ndaj këtyre kritikave ka reaguar vet Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka i cili ka thënë se rruga për të cilën bëhet fjalë nuk ka qenë asnjëherë e shtruar me kalldrëm. Madje, ai ka thënë se si qeveri lokale janë të përkushtuar që në zonën e “Nënkalasë” ta bëjnë kthimin e kalldrëmit me gurë të lëmuar.

“Sot janë publikuar disa lajme të rreme gjoja se një rrugë me kalldrëm në lagjen e “Nënkalasë” është mbuluar me kubëza betoni. Kjo është e PAVËRTETË dhe është për të keqardhur që këto dezinformata po plasohen edhe nga insitucionet përgjegjëse.

Së pari dua të njoftoj që asnjë rrugë apo rrugicë që ka qenë e shtruar me kalldrëm nuk është mbuluar me kubëza apo me asfallt.

Fotografitë që janë plasuar sot kanë të bëjnë me një rrugicë e cila ka qenë e pa-shtruar më parë, pra si mund të shihet nga fotografitë, ka qenë rrugë me zhavor dhe baltë.

Për hir të informimit të publikut ju njoftoj se Komuna e Prizrenit të gjitha intervenimet në zonën e “Nënkalasë” deri më tani ka bërë për kthimin e kalldrëmit me gurë të lëmuar dhe shumë rrugë dhe rrugica tani kanë pamjet që mund të shihni edhe nëpër fotografi.

Nga të gjitha këto rrugë dhe rrugica vetëm një pjesë e një rrugice me gjatësi 50 metra është shtruar me kubëza, e cila u plasua si lajm i ditës për “krim arkitektonik”.

Sidoqoftë unë sot kërkova shpjegime nga Drejtoria e Shërbimeve Publike pse kjo pjesë e rrugicë është shtruar me kubëza, ku DSHP-ja më njoftoi se “Kjo rrugë nuk ka qenë e shtruar më parë me ndonjë material dhe me kërkesën e banorëve është bërë shtruarja e saj me kubëza, ngase lidhet me rrugën tjetër kryesore për kala, e cila gjithashtu është rrugë me kubëza (e shtruar shumë më herët). Po ashtu arsyeja është se kjo është rrugë do të përdoret për furnizime me materiale ndërtimore dhe punime me makineri të rënda gjatë ndërtimit të objekteve apo renovimit të tyre në këtë pjesë të lagjes, si dhe për të ofruar çasje për persona me aftësi të kufizuara”.

Së fundi, dua t’ju njoftoj që i gjithë projekti ka pëlqimin nga QRTK dhe lejen ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor (nr.04-353/02-135318 dt.19.03.2019). Projekti është hartuar duke pasur parasysh edhe kërkesat e banorëve të asaj lagjeje dhe janë përdorur këto tri materiale për mbistrukturë: me gurë kalldrëm të lëmuar është bërë rehabilitimi i dy rrugëve ekzistuese e cila ka qenë pjesa më e madhe sipas këtij projekti, pjesa te shkallët me gurë të përpunuar me forma të rregullta gjeometrike dhe një rrugë me gjatësi 50m është punuar me kubëza betoni, e cila gjithashtu ka qenë e paraparë në kuadër të projektit”, ka thënë Haskuka./04 Online

Fotografia e Mytaher Haskuka
Fotografia e Mytaher Haskuka
Fotografia e Mytaher Haskuka
Fotografia e Mytaher Haskuka
Fotografia e Mytaher Haskuka
Fotografia e Mytaher Haskuka
Fotografia e Mytaher Haskuka

Leave a Reply